Arrestohen dy funksionarë të Zyrës Rajonale të Tatimeve Berat si dhe Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura. Personat e arrestuar akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.

Zeni Myftari dhe Valmir Liçollari janë arrestuar për veprat penale Shpërdorim detyre dhe Korrupsion pasiv, ndërsa për korrupsion aktiv janë arrestuar Albert Zaimi dhe Vladimir Shehu. Myftari, inspektor i tatimeve në DRT Bera, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt, nga shtetasit Albert Zaimi dhe Vladimir Shehu duke i favorizuar në kontrollin e dokumentacionit të subjekteve të tyre.

Ndërsa Liçollari, specialist pranë DZM Berat gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt nga individë dhe subjekte, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të nxjerrjes së pllakave të gurit në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.

Njoftimi i plotë i policisë
Finalizohen me sukses dy operacione, të koduara “Tatimet” dhe “Stop”.
Në kuadër të operacionit “Tatimet” janë ekzekutuar masat e sigurisë për 3 shtetas, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në kuadër të operacionit “Stop” është ndaluar 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Berat, pas një hetimi disamujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, bënë të mundur finalizimin e dy operacioneve, si rezultat i të cilëve u bë dokumentimi me prova ligjore i përfitimit në mënyrë të parregullt, në disa raste, i vlerave monetare nga 2 shtetas që ushtrojnë funksione publike.

Në kuadër të operacionit “Tatimet” u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, si më poshtë:

“Arrest në burg” për shtetasin Zeni Myftari, 50 vjeç, banues në Berat, inspektor i tatimeve në DRT Berat, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasit Albert Zaimi, 66 vjeç, banues në Skrapar dhe Vladimir Shehu, 42 vjeç, banues në Drenovic, Berat (të dy administratorë subjektesh), për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shtetasi Zeni Myftari, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt, nga shtetasit Albert Zaimi dhe Vladimir Shehu duke i favorizuar në kontrollin e dokumentacionit të subjekteve të tyre.

Në kuadër të operacionit “Stop” u bë ndalimi i shtetasit Valmir Liçollari, 40 vjeç, banues në Skrapar, specialist pranë DZM Berat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky shtetas, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt nga individë dhe subjekte, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të nxjerrjes së pllakave të gurit në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb