Një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur mesditën e sotme në Laç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20 pranë gjimnazit, teksa policia ndodhet në vendin e ngjarjes.

Sipas burimeve zyrtare, në lagjen nr.4 në Laç, jashtë rrethimit të gjimnazit, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi i mitur L. Rr. 15 vjeç, nxënës në gjimnaz, banues në Kurbin, i cili është transportuar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, kanë identifikuar autorin e dyshuar shtetasin A.Gj., 17 vjeç, gjithashtu nxënës i gjimnazit.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet me qëllim lokalizimin e kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit, njëkohësisht vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb