VLORË

Atentat në mes të ditës biznesmenit në Vlorë. Bledar Birçaj, rreth 40 vjeç, pronari i një lokali të njohur në Vlorë, ka humbur jetën pasi u qëllua me breshëri teksa lëvizte me makinën e tij tip “BMW” në lagjen “Hajro Çakërri”.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Birçaj është qëlluar nga një automjet tjetër që ka lëvizur paralelisht me të. Policia e Vlorës ka ngritur disa postblloqe dhe po kreh zonën në kërkim të autorëve, teksa janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë. Ngjarja ndodhi në një kohë me lëvizje të shumta dhe pranë vendit ka objekte dhe biznese me kamera që mund të kenë fiksuar momentin e atentatit që tronditi sot qytetin bregdetar.

Nuk dihen ende motivet e këtij krimi, teksa policia ka nisur hetimet në disa pista. Policia po heton dhe mbi të kaluarën e viktimës. Makina e tij u qëllua me breshëri dhe policia ka gjetur të paktën 15 shenjë plumbash, kryesisht në xhamin e përparmë të makinës dhe nga ana e shoferit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb