VLORË

Një person ka mbetur i plagosuar në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 kur është njoftuar për shtëna me armë zjarri në zonën e Lungomares.

Sipas informacioneve të para, i plagosur ka mbetur 58-vjeçari Dajo Cenodema, punonjës i bashkisë i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Cenodema ka qenë duke pirë kafe në zonën e Ujit të Ftohtë, është afruar dikush dhe e ka qëlluar me armë.

“I plagosuri është transportuar në spital. Dyshohet se kemi të bëjmë me një atentat, pasi dëshmitarët thonë se nuk ka pasur debate. Pas ngjarjes dy persona janë larguar nga pjesa e pasme e zonës së Ujit të Ftohtë me kapele dhe syze”, raportoi Mehmeti.

Të shtënat kanë shkaktuar panik në zonë, ndërsa policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. I plagosur është dërguar në spital ku po merr ndihmën e mjekëve. Ndërkaq policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe janë ngritur postblloqe nëpër qytet.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb