Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka firmosur urdhrin që ndalon publikimin e dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhaj tashmë të penduar të drejtësisë.

Dëshmi të shumta të Dumanit u bënë publike, ku denonconte me emra vrasës, porositës dhe lidhje me politikën. Urdhri është përgatitur dy ditë më parë dhe është firmosur nga Prokurorët Doloreza Musabelliu, Altin Dumani e Behar Dibra.

Moszbatimi i urdhrit sipas SPAK-ut sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a. Ky nen thotë: “Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”.

“Deklarimet e këtyre shtetasve kanë vlerë provuese dhe janë shumë të rëndësishme për hetimin. Duke vlerësuar rëndësinë e këtyre deklarimeve si dhe nevojën që këto deklarime të mbulohen nga sekreti del e domosdoshme që të urdhërohet ruajtja e sekretit të tyre deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Gjithashtu sekretit duhet t’i nënshtrohet edhe marrëveshja e bashkëpunimit e lidhur ndërmjet Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë shtetasit Henrik Hoxhaj si dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë shtetasit Nuredin Dumani.
Duke marrë në konsideratë rëndësinë e deklarimeve të dhëna prej këtyre shtetasve, faktin se jemi në fazën e hetimit paraprak intensiv dhe po kryhen shumë veprime të tjera hetimore në drejtim të personave që po hetohen si dhe në respektim të të drejtave të viktimave të veprave penale, bazuar edhe në nenin 103 të K.Pr.Penale, lind e nevojshme që të ndalohet publikimi i këtyre deklarimeve qoftë dhe i pjesshëm si dhe publikimi i përmbajtjes së tyre (qoftë edhe të pjesshme) nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv.
Sa më sipër, bazuar në nenin 103/1 dhe 279/1 të K. Pr. Penale,
Urdhërojmë
Ruajtjen e sekretit të deklarimeve të dhëna nga ana e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë apo si person ndaj të cilit zhvillohen hetime deri në përfundim të hetimeve.
Ndalimin e publikimit qoftë edhe të pjesshëm të procesverbalit të deklarimeve të shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndalimin e publikimit të përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv.
Moszbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5 të Kodit Penal”, deklaron SPAK.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb