Denis Brajoviç dhe Klaudio Hoxhalliu të arrestuar disa muaj më parë si pjesë e grupit të rrezikshëm “Bajri” të Shkodrës janë liruar nga gjykata. Në vendimin e siguruar nga ‘BalkanWeb’ si Brajoviç ashtu edhe Klaudio Hoxhalliu janë lënë nën masën “arrest shtëpie”.

Gjykata ka dalë në konkluzionin se për ta nuk provohet akuza për ‘Përkrahje të autorit’ si dhe nuk u provua se kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Kujtojmë se Hoxhalliu ishte pronari i ambientit ku u arrestua Safet Bajri, i konsideruar si një nga njerëzit kryesorë të grupit.

Më herët, Gjykata për Krime të Rënda ndryshoi masën e sigurisë edhe për për Emrah Plakun, një prej të arrestuarve si pjesë e bandës kriminale të drejtuar nga Safet dhe Enver Bajri. Nga arrest me burg, Plaku u dërgua në arrest shtëpie.

GRUPI

Të arrestuarit si pjesë e grupit ishin:

Behar Bajri, në Roterdan

Shamet Halluni

Ilir Rustemi, Shkodër

Ermat Plaku, Shkodër

Asmet Bilali, Shkodër

Armir Grimaj

Safet Rustemi, Tiranë

Fabiol Rexhepi

Ismet idrizi

Denis Brajovic

Klaudio Hoxhalliu

Burime nga grupi hetimor thanë se grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Europë. Ndërsa paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit.

Nga ana tjetër, burimet thonë se për disa nga veprat penale, për të cilat ata akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshohen edhe nga Policia belge, kryesisht për pengmarrje, gjobëvënie, madje edhe vrasje, ndaj shtetasve shqiptarë që jetojnë e zhvillojnë aktivitetin atje.

Sipas Prokurorisë, deri tani është e provuar akuza e vrasjes për dy raste. E para, është vrasja e 15-vjeçares Fabiola Bajri, bashkëjetuese e njërit prej të dyshuarve. Vrasja e saj u raportua si vetëvrasje 20 vjet më parë, edhe pse e mitura ishte qëlluar me një plumb, ndërsa edhe pas të shtënave, arma u gjet me fishekë gati për qitje. Krimi i dytë dyshohet se është kryer për shkaqe banale, me të njëjtën armë që ishte ekzekutuar 15-vjeçarja.

HETIMI

Operacioni i koduar “Oaz”, u finalizua në shtator 2018 me 11 persona të arrestuar e dy të tjerë të shpallur në kërkim, pas një hetimi intensiv që zgjati rreth 6 muaj. Mes të arrestuarve ishte edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të grupit dhe i vëllai Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, gjithashtu me të njëjtin rol.

Në kërkim u shpallën edhe Enver Bajri, drejtuesi kryesor grupit, ndërsa personi i dytë dyshohet si një nga personat që përdorej për të vënë gjoba. Burimet thanë se një tjetër personazh kyç në këtë grup është edhe Behar Bajri, i arrestuar në Roterdam, pasi ishte larguar prej më shumë se një jave më parë nga Shqipëria. Informacioni për të u është përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga. “Është provuar në javët e fundit se anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, theksoi Ardi Veliu gjatë konferencës për shtyp.

Sipas burimeve, gjobat e vendosura kohët e fundit, fillimisht u njoftoheshin të dëmtuarve nga Behar Bajri. “Behari jam”, u thoshte në telefon i dyshuari dhe më pas viheshin në lëvizje të tjerët, të cilët, siç rezulton nga përgjimet e shumta, i vendosnin afat të dëmtuarve në disa raste edhe me frazën: “…e mira është mos ta vonosh porosinë”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb