Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion mëngjesin e sotëm për vënien në pranga të autorëve të grabitjes dhe dhunimit të biznesmenit Nazmi Çangu. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se operacioni ka nisur prej orës 4 të mëngjesit, teksa është arrestuar një person, është shpallur në kërkim një tjetër dhe janë shoqëruar disa të tjerë.

Operacioni erdhi pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Krujës me kërkesë të Prokurorisë. Mësohet se kanë qenë gjurmët e lëna në vilën e biznesmenit Çangu nga autorët që kanë çuar në identifikimin e tyre, teksa nga kontrolli në një banesë janë zbuluar dhe sende të kundraligjshme. Në pranga ka përfunduar Saimir Kuçi, ndërsa është shpallur në kërkim Artan Prenga (Kurti, Lleshi), të dy të skeduar nga policia.

“Kuçi është arrestuar si pjesëtar i bandës që dhunoi brenda banesës biznesmenin Çangu. Njihet si person me precedentë penalë dhe rezulton i arrestuar dhe më herët në operacionin ‘Hija e natës’.

Artan Kurti Lleshi sipas policisë është kreu i grupit kriminal dhe rezulton të jetë i skeduar në fushën e grabitjeve. Ai nuk është gjetur gjatë kontrolleve nga policia në banesën e tij dhe është shpallur në kërkim. Gjykata e Krujës kishte firmosur dhe autorizuar kontrollin e 7 banesave dhe janë shoqëruar dhe disa persona të tjerë për të cilët nuk është vendosur nëse do të mbahen apo do të lirohen. Në banesën e Saimir Kuçit, janë gjetur bllokues valësh dhe drogë.
F.LL. është shpallur në kërkim, por ende nuk është gjetur nga policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb