VLORË- Katër ditë pas aksidentit tragjik në aksin Vlorë-Ujë i Ftohtë ku humbi jetën 18-vjeçari Kristi Panajoti dhe u plagos rëndë kushëriri i tij Petraq Beja, Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë, sot në orën 04:00, ka arrestuar punonjësin e Policisë, Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Punonjësi i Policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti dhe ngeli i plagosur shtetasi Petraq Beja.

Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident Petraq Beja dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike“.

Pas ngjarjes familjarët e viktimës akuzuan shtetin dhe firmën për mosvënien e sinjalizimeve pasi makina tip BMW-X6 ku udhëtonin 2 të rinjtë ra në një gropë të madhe të hapur në mes të rrugës. Fillimisht policia e Vlorës deklaroi se makina kishte rënë në kanal por më pas pranoi se BMW-ja kishte rënë në gropën e hapur në rrugë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: