TIRANE- Një ditë pas arrestimit, 24-vjeçari Mikel Shallari i dyshuar si autori i vrasjes së komisarit Artan Cuku në hyrje të pallatit ku ai banonte, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 prill 2017, ndërsa mëngjesin e së dielës u bë i mundur ndalimi i 24-vjeçarit me origjinë nga Kuçova dhe banues në Qytet Studenti në Tiranë.

Ditën e djeshme, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, tha se nga provat e siguruara deri më tani 24-vjeçari Mikel Shallari është ekzekutori i komisarit Artan Cuku. Por vetë 24-vjeccari gjatë ditës së djeshme nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, dhe mohon të ketë lidhje me ngjarjen.

Në deklaratën e përbashkët për mediat me kreun e Policisë së Shtetit, një ditë më parë, Prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori, i cili ka ndjekur çështjen, tha se Shallarit i është ofruar bashkëpunimi me drejtësinë.

Dhe vetëm mëngjesin e sotëm, Shallari ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe prokurorinë.

Burime për “BalkanWeb” dhe “News24” sqarojnë se, Mikel Shallari, i cili nuk ka ende status të penduari, do pyetet për emrat e porositësve dhe motivin.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori, tha dje se “Nuk dihet nëse ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje”, dhe shtoi se 2 shtetas të tjerë janë në kërkim.

Sakaq, ditën e sotme pritet të dërgohet në Gjykatë kërkesa për masën ndaj 24-vjeçarit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: