Thirret në prokurorine e Kavajës sërish Marsida Qatja, 30-vjeçarja në shtëpinë e së cilës mbeti i vrarë, 42-vjeçari Dritan Haxholli. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Qatja po pyetet në lidhje me deklaratat kontradiktore që ka dhënë në media së fundmi.

Ish-shefi i sigurisë në burgun e Durrësit Bledar Toci qëlloi mbi Haxhollin që kishte shkuar i armatosur në shtëpinë e Qatjas duke e lënë të vdekur.

Vetë Marsida Qatja ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen edhe pse gjykata i ka kërkuar të heshtë. Në një intervistë dy ditë më parë ajo deklaroi se vrasja erdhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Qatja tha se disa individë i kanë dhënë një shumë prej 20 milionë lekësh, në shenjë dëmshpërblimi për problemin që i kanë shkaktuar dhe në formë mirënjohjeje për faktin që ajo ka folur ashtu deri më tani.

“Nuk mund t’i tregoj personat që mi kanë dhënë. Me ka dhënë bashkia më kanë dhënë edhe kështu individë. Janë individ që janë tamam për dëmshpërblim, që janë mbrojt nga unë, që kam mor fjalët përsipër, patjetër se po të kisha nxjerrë unë të vërtetën do ishin i grup në burg”, ka thënë ajo.

Ajo është shprehur se ngjarja nuk ka pasur shkak një histori rozë, ku u tha se kjo e fundit ishte “mollë sherri”.
“Si mund të zihen apo të bëjnë ata një sherr apo debat ai për mua, ose unë që jam me dike tjetër aty, kur mua për pesë muaj më del buri im. Unë nuk isha një vajzë beqare që ai po pretendonte t’u martonte me mua dhe mund t’i gjuante dikujt se mund të bëhej xheloz. Ai do vriste këtë. Ok, po pas pesë muajsh çfarë do bënte do vriste burrin tim?! Këto janë debate, është logjike”, tha Marsida.

Qatja ka deklaruar po ashtu se bëhej fjalë për një rrjet të trafikimit të drogës dhe ajo ishte pjesë e tij, madje edhe bashkëshorti i saj, i cili vuan dënimin në Gjermani pasi është kapur me lëndë narkotike.

“Unë kam qenë në dijeni, unë kam punuar vetë me ta. Po, po edhe burri im prandaj s’ka prish asnjë lloj kontakti me mua se i di punët që u boshin. Po të kishte qenë një lidhje dashurie nuk u shprehte burri im kaq ëmbël me mua. Burri im është në dijeni të së vërtetës”, është shprehur Marsida.

Po ashtu ajo ka shtuar se në datë 8 nëntor do të ikë me pushime në Belgjikë.

Më 17 tetor, Gjykata e Kavajës pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan pas vrasjes në banesën e saj, ku nga hetimet rezultoi se ishte konsumuar dhe kokainë.

Pikërisht për përshtatje të ambienteve për përdorim droge, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet ndaj Qatjas, duke kërkuar për të “detyrim paraqitje”.
Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe pasaportën e Qatjas, pasi ka pas informacion se do të dilte jashtë vendit, si dhe u ka kërkuar të mos flasë më në media për ngjarjen, pasi është person që ka dijeni dhe mund të prishë sekretin hetimor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb