POLIÇAN

Një 77-vjeçar është vrarë me thikë pasditen e sotme 20 kilometra larg nga Poliçani, në fshatin Jaupas. Ai është Ramadan Çela ndërkohë BalkanWeb mëson se është arrestuar autori i ngjarjes, 37-vjeçari Hamza Çela.

Hamza Çela është arrestuar në dalje të fshatit Jaupas falë reagimit të menjëhershëm të Policisë teksa zona tashmë është rrethuar.

Ndërkohë Policia është në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj vrasjeje. Saktësisht skenë krimi është banesa e Ramadan Çelës i cili ka qenë i vetëm në shtëpi.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e vrasjes me thikë të 77-vjeçarit.

Rreth orës 17:30, në fshatin Jaupas, Skrapar, shtetasi H. Ç., 37 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) komshiun e tij që ndodhej vetëm në banesë, shtetasin R. Ç., 77 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar kanë rrethuar zonën dhe falë reagimit të menjëhershëm dhe informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Në cilësinë e provës materiale grupi hetimor ka sekuestruar armën e krimit, një mjet prerës (thikë).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb