Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 22 mars 2022, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një furre buke.

Policia ka bërë me dije se është vënë në pranga pronari i këtij biznesi, Sadet Sala, i cili nga hetimet rezulton i përfshirë në konfliktin me armë zjarri me shtetasin Armando Ndreu.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2022, në lagjen “Skëndërbeg” në Shkodër, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një biznesi (furrë buke), kanë organizuar dhe finalizuar operaionin policor të koduar “Bakery”.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Sadet Sala  28 vjeç, banues në fshatin Barbullush.

Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 03.04.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Sadet Sala ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Armando Ndreu, 32 vjeç, banues në Shkodër, i cili pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin 28-vjeçarin, ka qëlluar i pari në drejtim të biznesit në pronësi të tij, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton policia.

Sakaq, vijon puna për kapjen e Armando Ndreu, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: