TIRANË

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, deputeti i zgjedhur Ervin Salianji e konsideroi një lajm të jashtëzakonshëm urdhrin ekzekutiv të lëshuar nga Presidenti amerikan Joe Biden për t’i ndaluar hyrjen në SHBA dhe konfiskuar pasurinë kujtdo që shkakton destabilizim në Ballkan, si edhe vendimin e tij për të shpallur për ish kryeministrin Berisha.

“PD padiskutim që ka në themel të saj vlerat që e bashkojnë me SHBA dhe kombet perëndimore dhe ka në themel partneritetin strategjik me SHBA, ky është qëndrimi i deritanishëm i PD ashtu sic besoj se nuk ka asnjë njeri në Shqipëri që nuk njeh kontributet e jashtëzakonshme të Sali Berishës që nga rënia e regjimit, themelimi i PD dhe të gjithë ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë, që lidhen edhe me Sali Berishën si drejtues i qeverisë në kohërat kur kanë ndodhur, NATO, vizat etj. Kështu që beteja për dinjitet dhe beteja për mos cënimin e dinjitetit të tij është një betejë që vetë e ka veçuar nga PD.

Është një lajm i jashtëzakonshëm, është një lajm pozitiv, një prej ngjarjeve ku gjithësecili prej shqiptarëve, besoj ndihet i përkëdhelur  që vëmendja e SHBA është kthyer në Ballkan posacërisht edhe në Shqipëri. Padiskutim që cilido që përfshihet në afera korruptive, apo kriminale, duhet të mbajë përgjegjësi që nuk i ka mbajtur dot për shkak të institucioneve të dobëta dhe për shkak të mos funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Përfshirja e SHBA, po bën që shqiptarët të kenë më shumë shpresë që në një të ardhme jo të largët, të ketë drejtësi e ndëshkim të të gjithë personave që krijon këto veprimtari. Cilido që në nuk kemi mundur dot ta cojmë para përgjegjësisë për shkak të lidhjeve që ka krijuar, do marrë ndëshkimin e merituar.” u shpreh Salianji.

Duke komentuar deklaratën e ish kryeministrit Berisha mbi një rikthim të mundshëm në PD, Salianji tha se e sheh si një batutë të bërë në një moment të caktuar, ndërsa deklaroi votën pro, kryedemokratit Lulzim Basha.

“Kjo është një shprehje e vjetër që në politikë nuk thuhet kurrë kurrë, por e pashë si një batutë në një moment të caktuar, nuk ka të bëjë. Zgjedhjet në PD mbyllen nesër dhe nuk besoj se ka qenë një deklaratë përtej një batute. Zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të PD janë nesër, unë e shoh si një batutë. Duhet parë edhe konteksti dhe koha në të cilën thuhet. Nuk është një deklaratë e bërë para një gare.

Nesër në zgjedhjet brenda PD unë do të votoj Lulzim Bashën si kryetarin e ardhshëm të PD, në një moment kur PD ka shumë nevojë për stabilitetin e krijuar dhe për të dhënë një mbështetje masive drejt Bashës si person e individ me një profil politik që ka mbi shpatullat e veta edhe të gjithë sakrificën përplasjet gabimet apo cfarëdo lloj elementi tjetër që ka eksperienca pozitive dhe negative e këtyre 8 viteve, për të bërë të mundur që PD të ruhet si një parti e madhe dhe një parti e cila lufton për vendin e parë dhe do kthehet në pushtet shumë shpejt. Kjo është arsyeja pse e deklaroj hapur votën, por edhe pse persona që duhet të ishin përgjegjës si kryetari i Këshillit Kombëtar për të qenë më të distancuar nga gara janë përfshirë në garë sikur të jenë vetë kandidatë.”- vijoi Salianji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb