Siria dhe aleatja e saj më madhe, Rusia shpallën sot një armëpushim mbarëkombëtar ndaj forcave rebele. Armëpushimi pason rënien e Alepos në duart e forcave të qeverisë siriane. Armëpushimi hyn në fuqi në mesnatë.

Moska dhe Ankaraja kanë qenë të angazhuara në negociata intensive në dy javët e shkuara. Më parë këtë muaj, të dy palët ndërmjetësuan një marrëveshje për një armëpushim dhe evakuimin e refugjatëve nga lagjet e bllokuara në qytetin sirian të Alepos.

Javën e kaluar, ministrat e jashtëm turk, iranian dhe rusë u takuan në Moskë për bisedime mbi çështjen e Sirisë. Sipas ministrisë së jashtme turke, ministri i jashtëm Mevlut Çavusoglu foli dy herë me telefon këtë javë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Presidenti rus, Vladimir Putin gjithashtu njoftoi sot armëpushimin mes regjimit sirian dhe opozitës së armatosur në Siri, që ndodhet në mëshirën e një konflikti të përgjakshëm që prej vitit 2011.

“Tre dokumente u nënshkruan, i pari mes qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur për armëpushimin në të gjithë territorin sirian”, deklaroi Putin, duke saktësuar se një tjetër dokument ka të bëjë me negociatat e paqes.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi sot një reduktim të pranisë ushtarake ruse në Siri, ku ushtria po ndërmerr një fushatë të sulmeve ajrore në mbështetje të regjimit të Damaskut prej shtatorit 2015.

“Jam dakort me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me reduktimin e pranisë ushtarake në Siri”, njoftoi Putin, gjatë një intervistë televizive me ministrat e tij të Mbrojtjes dhe të Punëve te Jashtme.

“Por, ne do të vijojmë në mënyrë absolute luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, saktësoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: