Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri të ditur se për të tretën javë me radhë numri i rasteve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) në mbarë botën ka shënuar rënie.

“Ka akoma shumë vende me numër në rritje të rasteve, por në nivel global kemi një lajm inkurajues. Kjo tregon se ky virus mund të kontrollohet, edhe me llojet e reja në qarkullim. Dhe kjo tregon se nëse vazhdojmë me të njëjtat masa të provuara të shëndetit publik, ne mund të parandalojmë infeksionet dhe të shpëtojmë jetë”, theksoi Ghebreyesus në një takim javor në selinë e trupit shëndetësor në Gjenevë.

Sot, universiteti i mjekësisë John Hopkins me qendër në SHBA njoftoi se numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën 103 milionë, me mbi 2,23 milionë jetë të humbura dhe mbi 10,4 milionë pacientë të shëruar.

“Ne kemi qenë këtu më parë. Gjatë vitit të kaluar, ka pasur momente në pothuajse të gjitha vendet kur rastet shënuan rënie, qeveritë u hapën shumë shpejt dhe individët uën mbrojtjen e tyre, vetëm që virusi të kthehet përsëri. Përderisa shpërndahen vaksinat, është jetësore që të gjithë ne të vazhdojmë të marrim masa paraprake për të mbajtur veten dhe njëri-tjetrin të sigurt”, theksoi Tedros.

Më tej, ai theksoi se kontrolli i përhapjes së virusit tani shpëton jetë dhe do të shpëtojë jetë edhe më vonë duke reduktuar mundësitë që të shfaqen më shumë lloje të virusit.

“Po ashtu ndihmon për garantimin e vaksinave, që të mbeten efektive”, shtoi kreu i OBSH-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb