Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu sërish ngushëllime për ndarjen nga jeta të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, nga koronavirusi.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Basha tha se ikja e tij ishte tragjike dhe se e ka tronditur atë dhe shumë njerëz të tjerë.

“Nëse më lejoni, dua ta nis me një ngushëllim për humbjen e zotit Kasem Hysenbelliu. Një humbje tragjike, e një drejtuesi të mëparshëm të medias tuaj, po kështu të një tjetër medie të grupit tuaj mediatik, të gazetës “Panorama”. Dhe një mik, një qytetar i përkushtuar. Një familjar shembullor, siç e kam njohur unë dhe të gjithë miqtë e tij. Dhe një luftëtar i medias së lirë, në një kohë shumë të vështirë për lirinë e shprehjes dhe për lirinë e medias në Shqipëri. Lajmi tragjik që ka ardhur sot, më ka tronditur mua personalisht dhe shumë prej njerëzve, shokëve, miqve, kolegëve që e kanë njohur nga afër. Dua të shpreh nga zemra ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen e zotit Hysenbelliu, por edhe për të gjithë ata punonjës të medias News24, të televizionit Fax News që themeloi dhe drejtoi që prej vitit 2017-të. Lutjet, mendimet e mia, të familjes time, të miqve tanë janë me familjarët e zotit Hysenbelliu dhe me gjithë kolegët dhe miqtë e tij kudo ku janë”, tha Basha.

Më tej, numri një i selisë blu iu drejtua me një apel të gjithë qytetarëve, duke iu kërkuar të bëjnë gjithkça për të parandaluar përhapjen e virusit, pasi sipas tij, qeveria nuk po bën asgjë.

“Gjithashtu dua të them që këto janë ditë të mbushura për fat të keq, me humbje miqsh, me lajme të rënda për njerëz që njohim, të afërm, dhe kjo nuk është diçka që ndan apo diskriminon, është një gjë që na bashkon të gjithëve. Fatkeqësi e cila nuk diskriminon nëse je votues i Partisë Demokratike apo votues i Partisë Socialiste, nëse ke mundësi më të mëdha apo më të vogla financiare. Ndaj dua të bëj një apel, të bëjmë gjithçka për të mbrojtur veten tonë dhe për të mbrojtur të tjerët. Dhe ky apel është konkret. Është koha për ta përsëritur nevojën për të marrë masa mbrojtëse, për të mbajtur maskën, për të ruajtur higjienën personale, për të ruajtur distancën, për t’u kujdesur për prindërit tanë dhe të sëmurët që janë më vulnerabël se të tjerët. Duke mos i harruar ata, duke qëndruar sa është e mundur në ndihmë të tyre, por në të njëjtën kohë për të qenë shumë të kujdesshëm, në veçanti në kontakt me të moshuarit, me të sëmurët sa i përket mbrojtjes së tyre, maskave dhe gjithçka tjetër. Në veçanti, ky apel i drejtohet bashkëqytetarëve të mi kudo ku janë në kushtet kur gjithçka duket se është në dorën tonë. Është në dorën e njerëzve, sepse ajo që shteti në përgjithësi, qeveria duhej të bënte, nuk po bëhet. Dhe kjo është një nga arsyet, sepse pandemia është jashtë kontrollit”, theksoi kreu i PD.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb