TIRANE

Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk po kalon një situatë të mirë para ndeshjes me Skocinë, por edhe kundërshtarët e radhës të kuqezinjve nuk është se po shkëlqejnë. Pasi humbi për dëmtim sulmuesit Neismith dhe Grifiths, trajneri Aleks MekLish ka marrë të shtunën edhe tre lajme të tjera po aq të këqija, pasi disa lojtarë të tjerë kanë konfirmuar mungesën për takimet me kuqezinjtë dhe sfidën pasardhëse ndaj Izraelit.

Mediat skoceze bëjnë të ditur se Çarli Mulgrju, Stefen O’Donell dhe Kevin MekDonald, nuk do të marrin pjesë në këto sfida pasi të tre po përballen me dëmtime që nuk i lejojnë të luajnë në dy javët e ardhshme. Mbrojtësi O’Donell debutoi në maj por ishte kthyer në një pikë të rëndësishme të prapavijës së Skocisë, ashtu si Mulgrju, i cili është mbrojtësi që koordinon lëvizjet në qendër.

Ndërkohë, MekDonald është lënë jashtë ndeshjes së sotme me Fullhamin dhe klubi i tij bëri të ditur se nuk është në gjendje të luajë për dy javët e ardhshme.

Të tre këta lojtarë, ashtu si edhe Neismith, kanë qenë titullarë në sfidën e parë të luajtur përballë Shqipërisë, që do të thotë se MekLish duhet të bëjë ndryshime të tjera të rëndësishme në rreshtimin e skuadrës së tij nëse shpreson të marrë një rezultat pozitiv. Trajneri po pret të mësojë “bilancin e luftës” edhe nga ndeshjet e së dielës para se të vendosë për ndonjë thirrje në momentin e fundit për të zëvendësuar lojtarët e mësipërm.

(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb