Ambasadori amerikan Donald Lu ka folur sot edhe për politikanët shqiptarë, opozitën, teatrin dhe organet e reja të drejtësisë.

Në emisionin “Real Story”, Lu tha hapir se nuk i kupton politikanët shqiptar por kupton popullin dhe se kur të largohet nga Shqipëria nuk do t’i ndjekë më lajmet, pasi i japin dhimbje koke.

“Edhe nëse do të rrija këtu në Shqipëri për njëqind vjet nuk do t’i kuptoja kurrë politikanët shqiptarë. Por unë mendoj se e kuptoj mirë popullin shqiptar.

Kur të largohem nga këtu nuk do të ndjek lajmet, nuk do t’i shoh, nuk do t’i lexoj. Lajmet në Shqipëri më japin dhimbje koke”, tha ambasadori amerikan.

Për sa i përket, institucioneve të reja të drejtësisë, Lu deklaroi se do të jenë realitet brenda disa muajve.

“Nuk keni zgjidhje tjetër. KLP dhe KLGJ do të ngrihen në javët e ardhshme. SPAK dhe BKH do të bëhen realitet brenda muajve në vijim, pavarësisht nëse ne jemi apo jo këtu”, tha Lu.

Në lidhje me ligjin për teatrin?, Donald Lu tha se nuk duhet të ketë hapësira për korrupsion. “Mbështesim BE. Të mos kthehet në diçka që krijon hapësira për korrupsion duke i dhënë kontratën një biznesmeni të vetëm, pa garë transparente apo pa i dhënë mundësinë të tjerëve që të marrin pjesë në këtë projekt”, tha ai.

Ndërkaq ambasadori amerikan tregoi edhe këshillën e tij për opozitën.

“I kam këshilluar të gjithë miqtë e mi të cilët punojnë në Partinë Demokratike, dhe së fundmi edhe në LSI, se është shumë e rëndësishme që opozita të shfaqë një front të bashkuar”, u shpreh ai.

Por nuk ka munguar edhe një shigjetim për forcat kryesore politike në vend. “Nëse unë do të isha anëtar i LSI, PD apo PS, do pyesja veten se përse udhëheqësit e tyre nuk mund të kenë komunikim të drejtpërdrejt me udhëheqësit amerikane por duhet të paguajnë për këtë duke përdorur këta lobistë?”, tha Lu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: