Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, tha se ai dhe mbështetësit e tij nesër nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Bojkot do të ishte sikur ne mos të merrnim kurrsesi pjesë në proces. Ne nesër nuk marrim pjesë në votim. Shqiptarët i kanë parasysh të gjitha sforcot tona. Është proces, i cili vetëm nga ne nuk u bojkotua”, tha Alibeaj.

Më tej, Alibeaj deklaroi se PD mori pjesë në procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke kërkuar një President mbi palët dhe të të gjithë shqiptarëve.

“Ne jemi futur në këtë proces, duke kërkuar zgjedhjen e një Presidenti mbi palët, zgjedhjen e presidentit të shqiptarëve, qytetarit të parë që duhet të simbolizojë unitetin e popullit. Kjo ishte arsyeja pse që në fillim, duke respektuar detyrimet kushtetuese, morale, politike, ndaj zgjedhësve tanë, ne u futëm në mënyrë të hapur në këtë proces, duke marrë pjesë e duke përcaktuar rregulla, se si procesi do duhej të ishte i përbashkët, në mënyrë që dhe produkti të ishte i gjithëpranuar dhe të jepte garanci për ushtrimin në mënyrë normale të detyrës së Presidentit. Nuk është një proces normal, sikur s’ka ndodhur asgjë. Ajo që kam thënë në fillim u provua. Rama nuk kishte asnjë lloj synimi për t’iu dhënë qytetarëve një president përfaqësues të të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb