Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat paraditen e sotme, teksa ka mbërritur në parlament për të marrë pjesë në seancën plenare.

Duke iu referuar protestës së banorëve, ai akuzoi qeverinë se sillet me banorët si pushtuese dhe se dokumenti që iu ofrohet në këmbim të shtëpive është një mashtrim.

“Drama e cila zhvillohet sot në Tiranë me banorët, ndaj të cilëve qeveria sillet si pushtuese, është dramë që ka në bazë vjedhjen dhe mashtrimin. Unë kam studiuar me vëmendje dokumentin që u ofrohet banorëve.

Është absolutisht fund e krye mashtrimi. Ai nuk përbën marrëveshje, pro thjesht një akt vetëdeklarimi para noterit. Ndërkohë që një marrëveshje mes palëve kërkon firmën e të dy palëve dhe noterizimin e këtij dokumenti. Kërkon firmën e titullarit, lal Plehut, ose personit të autorizuar. Pra, e kam këtu në cantë atë akt-marrëveshje”, tha Berisha.

Ai tha më tej se mbështet protestën e tyre dhe iu bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen me ta.

“Një territor iu jepet disa kompanive për t’u zhvilluar. Në të gjithë Tiranën kompanitë kanë zhvilluar territorin në marrëveshje individuale dhe ju nuk keni parë protesta të kësaj natyre. Përse ndodh këtu? Sepse është dora e zezë e vjedhjes së qeverisë. Këtu nuk lejohet që atë që do u jepet banorëve në përqindje të madhe e përvetëson qeveria dhe bashkia dhe zhvilluesve nuk iu mbetet fitimi i nevojshëm. Babëzia, hajnia kanë kufi vetëm qiellin. I mashtron duke iu kërkuar një vetëdeklarim të noterizuar. Kjo që ndodh është një akt i mirëfilltë çnjerëzor, dhunim flagrant i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, mashtrim i tyre dhe një megavjedhje e madhe me kulla 30-katëshe që ndërtohen në trojet e tyre. Në Shqipëri dhe gjithë botën ekziston ligji i posedimit të pronës. Ligj që pas një afati të caktuar ai që posedon pronën është pronari dhe pronari dëmshpërblehet. Bashkia dhe qeveria prapa saj në mënyrë që t’i shpallin këta të paligjshëm, të marrin katet që duan për vete, sillen në këtë mënyrë ndaj banorëve. Mbështes plotësisht protestën e tyre. I bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen me ta sepse kjo që po u ndodh atyre mund të ndodhë dhe me ta”, deklaroi Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb