ITALI

Ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte. Lajmi bëhet i ditur nga mediet italiane, të cilat theksojnë se largimi i tij hap një fazë të ndërlikuar politike dhe kushtetuese, e cila do të përfundojë vetëm kur një kryeministër i ri dhe ministrat e tij të betohen para Presidentit.

Sipas medieve fqinje, dorëheqja e Conte krijon një krizë, të lindur nga konfliktet mes partive të koalicionit qeverisës, që nuk u sanksionua nga një votë mosbesimi.

Këtë mesditë, Conte ia ka paraqitur dorëheqjen e tij presidentit Sergio Mattarella, në një takim 30-minutësh me të, ndërsa tashmë do të pritet vendimi i Kreut të Shtetit për të çuar vendin në zgjedhje ose për të mandatuar si kryeministër një nga anëtarët e qeverisë aktuale.

Mediet fqinje raportojnë se duke filluar nga dita e nesërme do të nisin diskutimet, të cilat do të finalizohen me një vendim të presidentit Mattarella.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb