Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të homologut të saj grek Panos Kammenos, i cili paralajmëroi Shqipërinë nga pika kufitare në Molivdoskepasti, “të mos guxojë të sfidojë Greqinë”. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” Kodheli shkruan se “NATO u krijua për të bashkuar vendet demokratike të hemisferës veriore përballë çdo rreziku totalitar. Por sot e kam të vështirë të kuptoj pse ndonjë politikan në Ballkan vesh uniformë ushtarake dhe përpiqet të ngrejë fantazma të së shkuarës. Kanë ikur kohët e satrapëve. Give peace a chance”, – shkruan Kodheli. Një ditë më parë ministri grek i Mbrojtjes, i pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”. Duke u ndaluar në dekaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika të nxehta mes palëve, ministri grek i Mbrojtjes deklaroi se për Athinën sajesa antihistorike janë të papranueshme duke iu referuar veçanërisht çështjes çame.
“Nga këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të bërë deklarata provokuese. Përgjigja e jona është e qartë, Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare. E kam fjalën edhe për deklaratat e fundit të z.Rama, për sajesat antihistorike që ai flet e që na sjellin përsëri në kujtesën bashkëpunëtorët e nazizmit. Ishin ata që dolën në anën e humbësve. Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë dhe infektojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”­ tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb