Arrestohet në Mal të Zi, 34-vjeçari Viktor Marku i kërkuari për vrasjen e Hekuran Billës te “Komuna e Parisit” pak ditë më parë.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat.

I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006, ngjarje për të cilën Billa u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat britanike dënim i konvertuar me 25 vite sipas legjislacionit shqiptar.

Arrestimi i tij është bërë në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe policisë malazeze. Bëhet e ditur se policia ka ndjekur lëvizjet e Viktor Markut, më pas ka njoftuar homologët malazezë të cilët kanë kryer arrestimin.

Kujtojmë që një ditë më parë për ngjarjen e u arrestua edhe nipi i Viktor Markut, Shtetasi Sebastiano Mali.

“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, në datën 11.06.2020, rreth orës 21:50, në rrugën ”Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit H. B. Shtetasi Sebastiano Mali. është nipi i shtetasit Prel Marku, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi Hekuran Billa”, tha policia.

Por sot, i riu ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Ai ka thënë se prej muajsh jetonte në zonën e ish-klubit Partizani në Tiranë. I pyetur për lëvizjet e tij ai ka mohuar se e ka ndjekur 40-vjeçarin. “Kisha marrë një mjet “BMË X6″ me qira. Nuk e kam gjurmuar viktimën, isha në zonë për qejf”, ka deklaruar Mali.

NJOFTIMI I POLICISE

Falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit efikas me Policinë malazeze u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit V. M.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vënë në pranga, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit Shkodër, shtetasin V. M., pasi dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, te Komuna e Parisit, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B.

Shtetasi V. M. qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit V. M., në Malin e Zi.

Policia malazeze ia ka dorëzuar shtetasin V. M., strukturave të Policisë së Shtetit, në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit.

Një ditë më parë, nga strukturat policore të DVP Tiranë u kap dhe u vu në pranga njëri nga bashkëpunëtorët në vrasje, 22-vjeçari S. M., nipi i shtetasit V. M.

Ndërkohë, nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë vrasje.

Policia e Shtetit falënderon Policinë malazeze për bashkëpunimin, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve, duke bërë të mundur vënien në pranga të autorit të vrasjes së shtetasit H. B.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb