TIRANË

Komisioni Evropian ka reaguar pas padisë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bëri në SPAK ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Në një deklaratë nga Brukseli, zëdhënësi i KE i cilëson të pabaza akuzat e ngritura ndaj ambasadorit Soreca, duke thënë se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri

“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri, dhe më duhet të them se akuzat janë të pabazuara dhe dezinformuese. Liderët e BE kanë besim tek ambasadori Soreca dhe punën që ai po bën në Shqipëri. Soreca po bën punë të mirë në interes të BE, por edhe në interes të shqiptarëve, punë të mirë edhe në interes të marrëdhënieve Shqipëri-BE.

Ne vazhdojmë të mbështesim fort reformën në drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në Shqipëri të vijojnë zbatimin e reformës në përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të ndjekur reformën në drejtësi dhe Vettingun në gjyqësor, që po japin rezultatet e para të prekshme dhe nuk mund të ngadalësohen”, deklaron zëdhënësi i KE.

Kujtojmë se në padinë e dërguar në SPAK, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon zbardhjen e takimit mes ambasadorit Soreca dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, një ditë para se kjo gjykatë të shprehej për cështjen e Teatrit Kombëtar, pasi sipas kësaj aleance ka pasur ndikim nga kryediplomati i BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb