TIRANË

Qeveria shqiptare ka firmosur kontratën për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë – Durrës.

Ministrja Belinda Balluku në ceremoninë e mbajtur me këtë rast dha detaje mbi planet e tjera në sektorin hekurudhor në një periudhë afatmesme ndërkohë që bëri të ditur se ndërtimi i projektit të Tiranë-Durrës përfundon në verën e vitit 2023.

“Kam kënaqësinë që të marrë pjesë së bashku me ju të gjithë pas një periudhe të gjatë, na është dashur të punojmë rreth 3 vite për të arritur këtu ku kemi arritur sot, në firmosjen e marrëveshjes për projektin e rëndësishëm të rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit të aeroportit të Rinasit.

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës është një ndër projektet prioritare të Qeverisë Shqiptare, përcaktuar edhe në dokumentet strategjikë kombëtar dhe njëkohësisht pjesë e axhendës të konektivitetit të Procesit të Berlinit, e cila parashikon lidhjen e përmirësuar të rrjeteve të transportit dhe energjisë brenda Ballkanit Perëndimor, si një faktor nxitës për rritjen ekonomike.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës është aktualisht, dhe sot që flasim një pjesë e ngarkuar përsa i përket trafikut të udhëtarëve, pasagjerëve, por edhe të mallrave. Megjithatë nuk duhet harruar që kjo hekurudhë është ndërtuar në vitin 1951, ka pasur një rehabilitim të saj në vitin 1996 dhe ka më shumë se dy dekada e amortizuar dhe në nevojë të plotë për një rehabilitim të thellë, por sigurisht ky investim nuk do mbetet i vetmi në rrjetin tonë hekurudhor pasi në planet tona afatmesme ne kemi dhe rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit dhe të linjës Pogradec-Korçë duke shtuar dhe linjën e re Korçë-Kapshticë, të cilat parashikohet të rivitalizojnë të gjithë sistemin hekurudhor në Republikën e Shqipërisë.

Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese nga stacioni Qendror i Durrësit, i cili është ekzistues, deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës, i cili është një projekt që po dizenjohet me shumë skurpolozitet nga Bashkia e Tiranës, si dhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore prej 5.7 kilometrash e cila do të lidhë nyjen me aeroportin e Rinisnit.

Ky projekt do të mundësojë multi-modalitetin e sistemit të transportit në zonën metropolitiane Tiranë-Durrës nëpërmjet krijimit të një rrjeti të integruar dhe efikas duke mbuluar kështu zonën me aktivitetin më të lartë ekonomik në Republikën e Shqipërisë.

Arteria e re hekurudhore do të sjellë një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, aeroportit “Nënë Tereza” që do të konkurrojë drejtpërdrejtë përdorimin e automjeteve private, duke ndikuar edhe në lehtësimin e trafikut të rënduar në oraret e pikut të lëvizjes.

Nga ana tjetër rehabilitimi i linjës ekzistuese do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve të mëdha të Shqipërisë dhe do të zvogëlojë distancën kohore midis Tiranës dhe Durrësit gati në 22 minuta dhe nga Tirana në aeroportin e Rinasit vetëm 12 minuta. Përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe operimeve hekurudhore do të sigurohet një regjim miqësor për mjedisin. Shmangia e bllokimeve të trafikut rrugor mes Tiranës dhe Durrësit dhe aeroportit të Rinasit sigurisht si dhe reduktimi i ndotjes së ajrit nga trafiku i rënduar i automjeteve në këto dy qytete. Projekti do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme edhe në krijimin e vendeve të reja të punës pasi parashikohen që të punësohen rreth 2200 punonjës, ndërkohë që kursimet nga përdorimi i hekurudhës të krahasuar me përdorimin e automjeteve private do të jenë rreth 55 milionë euro në vit.

Gjej rastin të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në veçanti Bashkimin Europian për grantin prej 36.65 milionë euro për projektin e detajuar si dhe për punimet civile e sidomos delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë që na kanë përkrahur dhe kanë mbështetur këtë projekt që në gjenezat e tij, pra që në momentin që u shpall projekt fitues në samitin e Parisit në vitin 2016.

Nuk mund të lë pa përmendur një nga bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë BERZH-in dhe sigurisht jo vetëm për këtë projekt, por për të gjitha projektet që Ministria e Infrastrukturës zhvillon kaq në bashkëpunim harmonik do të thoja midis dy palëve, por sigurisht edhe eksperiencën që stafet e ministrisë kanë krijuar gjatë këtyre bashkëpunimeve nga stafi i BERZH-it. Gjithashtu duam të falenderojmë edhe WBIF për gjithë mbështetjen dhe aprovimin e këtij financimi. Në procedurën konkurruese për projektin e rehabilitimit të hekurudhës Tiranës-Durrës në ndërtimin e linjës së re të aeroportit të Rinasit morën pjesë 22 kompani të cilat ofertuan. Ne patëm një kohë të gjatë dhe një proces diligjent vlerësimi të ofertave të cilën e kemi bërë sëbashku me BERZH dhe sigurisht duke patur tashmë një fitues i cili ndodhet këtu sot pikërisht për nënshkrimin e kësaj kontrate. Kompania e madhe italiane INC SPA një kompani me eksperiencë shumëvjeçare e cila ka përmbushur të gjitha kriteret teknike dhe ka paraqitur ofertën më të mirë financiare.

Sipas parashikimeve kontraktuale punimet do të përmbyllen brenda një afati 30 mujor ose e thënë ndryshe në verën e vitit 2023. Duke përgëzuar të gjithë ekipin për punën e deritanishme uroj që hekurudha shqiptare si përfitues i projektit dhe INC SPA si zhvillues i tij të kenë në vijim një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi deri në rijetësimin dhe modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës për ti dhënë Shqipërisë dhe qytetarëve tanë një alternativë transporti më të mirë, eficente dhe miqësore me mjedisin.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë angazhohet publikisht gjithashtu se ne do të ndjekim me përpikëri të gjithë ecurinë e projektit për dy arsye kryesore. E para për të siguruar dhe facilituar të gjithë procesin që mos ketë pengesa dhe vonesa burokratike dhe procedurale dhe sigurisht arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë të këtij procesi gjatë ndërtimit të kësaj vepre madhore, por edhe për të siguruar një bashkëpunim shumë të mirë midis palëve.”- tha Balluku në fjalën e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb