Kryeministri Edi Rama mbajti këtë pasdite fjalimin e fitores nga Sheshi Skënderbej, teksa tashmë numërimi i votave është drejt fundit dhe fituese ka dalë Partia Socialiste.

Teksa falënderoi skuadrën e tij dhe shqiptarët, që e votuan më 25 prill, Rama u shpreh se “ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend”.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për cdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi. Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësi e vendosmëri, vendosën me votën e tyre në një moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb