TIRANË

Sërish ndryshime në qeveri. Kryeministri Edi Rama njofton se ka emëruar ministre të Jashtme, Olta Xhaçkën.

Në vend të Xhaçkës është emëruar Niko Peleshi, i cili do të drejtojë tashmë Ministrinë e Mbrojtjes. Në mesazhin e tij, kryeministri falënderon ish-ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili do të rikthehet në kabinetin e kryeministrit.

Kujtojmë se pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama emëroi edhe ministrin e ri të Brendshëm, duke i besuar detyrën Bledi Çuçit, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, për shkak të protestave masive që përfshin vendin pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia. Ndërkohë, në vend të Çuçit te Ministria e Bujqësisë, Rama emëroi Milva Ekonomin.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, shkruan Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb