Koronavirusi është kthyer tashmë në një alarm botëror, teksa po shënon nga të paktën 100 viktima në ditë. BBC raporton sot se është regjistruar viktima e parë në Evropë.

Mësohet se një turiste kineze ka ndërruar jetë në Francë, pasi është infektuar me virusin vdekjeprurës.

Viktima është një grua 80-vjeçare nga provinca Hubei e Kinës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Francës. Siç raporton BBC, turistja kishte mbërritur në Francë më 16 janar dhe ishte vendosur në karantinë, në një spital të Parisit.

Megjithatë, më shumë se 1.500 njerëz kanë vdekur nga virusi brenda Kinës, kryesisht në Hubei, ku u shfaq për herë të parë. 2,641 persona të tjerë janë konfirmuar rishtas si të infektuar, duke e çuar numrin në 66,492.

Franca ka thënë më parë se ka konfirmuar 11 raste të koronavirusit, të quajtur zyrtarisht Covid-19, dhe gjashtë mbeten në spital.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb