TIRANË

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, Shkëlqim Kokona, i akuzuar për shkelje të rënda profesionale. Hetimi disiplinor ndaj Kokonës kishte nisur pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbi veprimtarinë hetimore të magjistratit në periudhën 2018-2021 u provua se magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve; ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore; ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë dhe mosnxjerrje të urdhrave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim.

Hetimi disiplinor i ILD provoi se nga ana e prokurorit Kokona ka pasur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e adminstratës së prokurorisë dhe të gjykatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb