DURRËS- Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Durrës, ku për pasojë janë plagosur dy persona, mes tyre një person me precedent penal dhe djali i një polici.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.5 në qytetin bregdetar, ndërsa dyshohet se ka pasur një përplasje mes dy grupeve të rinjsh. Sipas të dhënave paraprake, bëhet e ditur se i plagosur ka mbetur 29-vjeçari Alfred Skonja, i cili ka marrë një plumb në bark. Fill pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, plumbat kanë prekur edhe 25-vjeçarin Ismail Çyrbja, i cili ka marrë plagë në këmbë. 25-vjecari, djali i një polici ndodhet në Spitalin e Durrësit dhe jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, ai dyshohet të jetë plagosur aksidentalisht gjatë kohës që kalonte në rrugë.

DURRES, FOTO NGA VENDI I NGJARJES
DURRES, FOTO NGA VENDI I NGJARJES

Gazetarja e ‘News24’ Klodjana Haxhiaj bën me dije për ‘BalkanWeb’ se 29-vjeçari Alfred Skonja njihet si person me precedent penal, ndërsa në 25 gusht është arrestuar nga policia. Skonja dyshohet të jetë autor për një tentativë vrasje me pagesë, pasi ndoqi një biznesmen, të cilin synonte ta vriste. Nga të dhënat që disponon gazetarja Haxhiaj, Skanja ishte lënë i lirë nga gjykata për mungesë provash. Ndërkohë, sipas njoftimit të policisë, dy të plagosurit njihen si përdorues të lëndëve narkotike.

NJOFTIMI I POLICISE

Më datë 05.10.2016, në orët e mbrëmjes në lagjen Nr.5 janë plagosur me armë zjarri shtetasit A.S. 29 vjeç dhe I.Ç. 25 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasi A.S. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, ndërsa shtetasi I.Ç. në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.

Të plagosurit njihen nga Policia si përdorues të lëndëve narkotike.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivat e Policisë, të cilët po kryejnë veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

ARRESTIMI I SKONJES ME 25 GUSHT
29-vjeçari Alfred Skonja, banues në qytetin bregdetar është ndaluar me 25 gusht, pasi në bashkëpunim me një tjetër person, kishin planifikuar të kryenin vrasjen e një shtetasi. Ndalimi i tij u bë si rezultat i një pune operative të mirëorganizuar, ku Skonja ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe nga Policia, me qëllim për të dokumentuar veprimet e tij të jashtëligjshme.

Sipas policisë, i riu kishte planifikuar që pas kryerjes së krimit do ta digjte me benzinë automjetin e vjedhur. Skonja, më datë 26.07.2016, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në Fushë-Krujë kanë vjedhur automjetin tip ‘Wolsvagen’ me targa AA 029 MM, në pronësi të shtetasit R.B. 22 vjeç, banues në fshatin Zheje, Kurbin, ndërsa targat i përkasin mjetit tip ‘Peugeot’ në pronësi të shtetases R.B. 37 vjeçe, banuese në Durrës, të vjedhura më datë 18 korrik të këtij viti.

Automjeti i vjedhur është gjetur më datë 24 gusht, rreth mesditës, pranë lumit Erzen. Sakaq, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan:

• automjeti tip Volsvagen me targa AA 029 MM SI DHE
• sende dhe mjete të ndryshme(veshje, kapele, kokore, lëndë djegëse benzin…)që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve gjatë kryerjes së aktit kriminal dhe krimit.

Por Alfred Skonja qëndroi në burg vetëm 30 ditë, dhe u lirua për mungesë provash.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: