Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri pritet të mbërrijë në aeroportin ushtarak në Rinas rreth orës 03.00 të mëngjesit të së premtes. Zëri i Amerikës ka mësuar se bëhet fjalë për aafro 130 persona, mes tyre dhe fëmijë, të nisur nga Kabuli. Avioni i tyre ka bërë më parë një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, prej dhe nga është nisur rreth mesnatës drejt Tiranës. Ata pritet të sistemohen në struktura hoteliere në Durrës.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra. Ndërsa prej javës së shkuar fluturime të shumta të planifikuara për të udhëtuar drejt Shqipërisë u anulluan si pasojë e kaosit në kreyqytetin afgan dhe aeroportin e tij, autoritetet shqiptare janë shprehur se do të presin disa mijëra. Një ditë më parë në një intervistë për televizionin CNN, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për të paktën 4 mijë persona.

Pas mbërritjes në aeroport, grupi i qytetarëve afganë do të qëndrojë fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroporti ushtarak, ku atyre do t’ju ofrohet dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa do të kryejnë dhe formalitetet burokratike. Sipas një vendimi të miratur të mërkurën nga Qeveria shqiptarëve, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojne deri në 1 vit në Shqipëri./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: