Kaluan dyqind ditë qëkur në tokën e Ukrainës po shkruhet ngjarja më e madhe e kohës që jetojmë: rezistenca heroike e ushtrisë dhe popullit të saj kundër invazionit të paprovokuar rus nga toka, ajri, deti, kibernetika.

Kreu autokratik i Kremlinit, Vladimir Putin, kishte menduar një pushtim të rrufeshëm ala hitlerian të Ukrainës, kthimin e saj në satelite dhe vasale të Moskës.

Ngjarjet në fushën e luftës folën ndryshe. As për tre ditë, as për dyqind ditë. Kurrë. Ukraina i përgënjeshtroi të gjitha bastet, profecitë dhe parashikimet që e jepnin të humbur përballë asaj që njihet si ushtria e dytë më e fuqishme e botës. Ukrainasit e shndërruan atdheun e tyre në një Termopile të lirisë dhe demokracisë për vete dhe për gjithë vendet demokratike të botës. Ndodhi ajo që tregohet në shprehjet e përdora nga strategët e fushës: filluan të fitonin që prej momentit kur nuk po thyheshin, ndërkohë që agresori i tyre po humbte që në momentin kur nuk po fitonte.

Për disa muaj, pas tërheqjes pa sukses së trupave ruse nga rrethinat e Kievit dhe përqëndrimit të tyre në zonat e pushtuara në lindje dhe juglindje të vendit u duk se korrida ushtarake në Ukrainë kishte hyrë në rutinë. Aq sa vetë Presidenti Zelenski, duke dashur të mbajë lart vëmendjen e botës, ka folur disa herë me shqetësim për rreziqet e perceptimit të luftimeve si rutinë dhe lodhje të vendeve të Europës perëndimore nga pasojat e luftës.

Shumëkund, edhe në Shqipërinë tonë të vogël, ku ngjarjet me rendësi botërore i zhurmon rëndom jehona e cicmic-eve vendore, po e harronin Ukrainën. Në mediat tona televizive emisionet për luftën në Ukrainë kanë reshtur si “pa interes” për publikun e gjerë të tallavave që pas javës së tretë të agresionit rus. Edhe në disa vende të Europës, gjatë verës, Ukraina ishte në agjendën e politikës dhe mediave kryesisht në formën e debateve dhe ankimeve për pasojat që kanë prodhuar lufta dhe sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë në rritjen e çmimeve të energjisë dhe mallrave të konsumit të përditshëm. Partitë filoruse të vetëquajtura “sovraniste” ( Sovraniste ndaj SHBA dhe NATO-s, por jo ndaj Moskës) e kanë ngritur edhe më shumë zërin duke kërkuar ndalimin e furnizimit të ushtrisë ukrainase me armë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Por SHBA, Presidenti Biden, Britania e Madhe, krerët e BE-së në Bruksel, partitë euro-atlanstiste konservartore, liberale dhe socialdemokrate nuk janë kompleksuar nga populizmi dhe nuk e kanë ulur për asnjë çast nivelin e angazhimit të tyre shumëplanësh në përkrahje të Kievit. Sidomos SHBA që kanë vijuar në mënyrë konstante dërgimin e ngarkesave me armë për ushtrinë ukrainase si rruga më e mirë në kushtet e agresionit rus në veprim për të arritur paqen.

Dhe ja ku vjen lajmi i mirë për njerëzit e lirë në mbarë botën . Edhe për njerëzit e shtypur por liridashës: kundërofensiva ukrainase në shkallë të gjerë e ditëve të fundit për rimarrjen e territoreve të pushtuara nga ushtria ruse. Burimet nga teatri i ngjarjeve, nga Kievi, nga mediat në terren, nga inteligjenca britanike, të konfirmuara në mënyrë të tërthortë nga disa burime ruse, flasin për një tërheqje në panik të trupave ruse nga shumë qytete dhe qendra të banuara, ku po valvitet tashmë flamuri i Ukrainës.

Lufta nuk do të mbarojë nesër, ajo do të kërkojë të tjera sakrifica nga civilët dhe ushtria e Ukrainës. Por shumica e ekspertëve dhe analistëve ushtarakë po theksojnë faktin se kursi i saj ka ndryshuar radikalisht në favor të forcave ukrainase. Goliathi rus ka marrë një goditje tjetër edhe më të fortë që Putin nuk e ka imagjinuar. Pushtimi i Ukrainës është që tani një dështim i stërmadh i Moskës putiniste.

Por është ndërkaq një fitore e madhe për Ukrainën që po e rithemelon në vlerat e patriotizmit dhe demokracisë pavarësinë e saj. Po aq jetike është kjo fitore për komunitetin e vendeve demokratike, për Shqipërinë tonë, për Kosovën e lirë e të pavarur, për çështjen shqiptare. Fitorja eventuale e Rusisë në Ukrainë do të kurorëzonte autokracinë dhe agresionin, duke rrezikuar konflikte më të ashpra në nivel global, kthimin prapa të rrotës së historisë, zhbërjen e arritjeve demokratike e kombëtare ku përfshihen dhe arritjet që gëzon Shqipëria dhe Kosova.

Por demokracia po e tregon edhe kësaj radhe epërsinë e saj. Falë SHBA që u prin sfidave të saj si engjëlli në stuhi, siç pat thënë Presidenti Bush i Riu në fjalën e tij inaguruse të mandatit të parë.

Nga këto zhvillime të mëdha “pikon” një lajm tjetër i rëndësishme për Shqipërinë: fokusimi akoma më shumë i SHBA dhe BE në konkretizimin e pritshmërive të publikut nga drejtësia e re.

Plot të reja nga fronti Ukrainës- lajm i shkëlqyer.

Pak të reja nga fronti shqiptar i sundimit të ligjit në Shqipëri- lajm jo i mirë.

Duken dy fronte të largëta, pa lidhje. Por i lidh qëllimi.

Kundërofensiva” për çlirimin e vendit nga pandëshkueshmëria nuk duhet të vonojë më asnjë ditë./Liberale.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: