Nga Miron Çako
Lakmia është një pasion që nënkupton një etje të pashuar për të fituar para, pasuri dhe çdo kënaqësi egoiste pa u interesuar për të tjerët, madje dhe duke përdorur dhe sakrifikuar të tjerët.

Lakmia e bën të pasurin të pangopur, ai i shton pasurisë pasuri edhe kjo bëhet shpesh në kurriz të të varfrit. Lakmia e bën shtetarin të papërgjegjshëm, gënjeshtar, vjedhës të arkës së shtetit që i është besuar atij me votat e popullit për një menaxhim të ndershëm. Lakmia e bën ruajtësin e rendit, prokurorin apo avokatin të marrë ryshfete dhe bashkëpunëtor me kriminelët e krimin dhe për para, ata e bëjnë të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë e për të dalë “të drejtë” para ligjit, dënojnë të pafajshmin edhe lirojnë fajtorin. Lakmia e transformon mjekun në antihuman, duke i shërbyer vetëm pacientit që paguan, kurse për të tjerët nuk kujdeset apo i lë të vdesin se nuk kanë të paguajnë.

Lakmia e bën bankierin hileqar, i cili me anë të hileve në skema ekonomike, mashtron klientët dhe duke nxjerrë për vete para nga hiçi, i fut debitorët në një rreth vicioz detyrimesh sa, kur nuk mund të paguajnë kredinë, u konfiskon shtëpinë, pronën edhe i nxjerr në rrugë të madhe. Lakmia e bën tregtarin mashtrues që vjedh në peshore edhe shet mall të skaduar si për të mirë dhe me çmim të lartë. Lakmia e bën fermerin të pandjeshëm dhe ai për të kapur fitimin më të lartë, përdor pesticide, helme, hormone dhe çdo paligjësi, që prodhimi të rritet artificialisht, pavarësisht se sa kjo e dëmton shëndetin e konsumatorit, e shtyn bujkun që të mos mbjellë në arë grurë, por hashash, pa u interesuar se droga shkatërron familje dhe merr jetë njerëzish. Lakmia e bën sipërmarrësin të pashpirt, të rrisë fitimet duke ulur pagën e punëtorit në minimumin jetik ose nuk ia jep fare me pretekstin “nuk kam”.

Lakmia për para e kthen burrin në kumarxhi, gruan në prostitutë, madje edhe vëllezërit dhe miqtë i përçan etj., etj. Lakmia prish çdo bashkëjetesë paqësore edhe është shkak i krimeve më të shëmtuara dhe i luftërave më të përgjakshme midis njerëzve, kombeve me shumë viktima të pafajshme vetëm që disa të shtojnë pasuritë e tyre, ashtu si lexojmë në letrën e Jakovit: “Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju? A nuk vijnë nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni dhe nuk keni; ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni sepse nuk kërkoni. Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakovi 4:1-3).

Lakmia është bijë e egoizmit. Rrënja e termit egoizëm është fjala greke (ego), që do të thonë unë. Egoizmi ka të bëjë me një sërë qëndrimesh dhe sjelljesh që kanë si synim të vetëm ndjekjen e interesit të subjektit që është autor i këtyre veprimeve, pra egoisti mendon vetëm për vete edhe gjithmonë nuk i mjaftojnë gjërat që zotëron, por lakmon gjithnjë e më shumë. Në Bibël flitet shumë për mëkatin e lakmisë, sepse ai është mëkati i parë. Njeriu nuk është mëkatar se gabon, por ai gabon se është mëkatar sepse “në mëkat më lindi nëna ime” (Psalmi 50) dhe këtu flitet për mëkatin stërgjyshor ose mëkatin fillestar të Adamit dhe të Evës, të cilët u mashtruan nga djalli dhe lakmuan frutën e ndaluar, “por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:17). “Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, e këndshme për sytë dhe e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të dhe hëngri edhe ai” (Zanafilla 3: 6-7)”.

Kështu, lakmia si mëkat i trashëguar tek të gjithë njerëzit, është një virus që e sëmur dhe e transformon qenien njerëzore nga një qenie shoqërore në një përbindësh, egoist dhe të pamëshirshëm, sa ai tradhton, shfrytëzon edhe vret jo vetëm të afërmit, por arrin deri atje sa mohon edhe vetë Zotin, Krijuesin e tij. Njerëzit që kanë para hapin portofolin e tyre, i cili është plot edhe thonë: “Ky është zoti im”. Njeriun të krijuar sipas ikonës të Perëndisë si qenie intelektuale me shpirt të arsyeshëm si mbret i krijesës me kryet lartë për një komunikim me Zotin Gjithëpushtetshëm lakmia e turpëron, sepse njeriu lakmiqar shtazohet, kthehet si një kafshë pa arsye, që mendon dhe kënaqet vetëm instinktet mishore, me gjërat e tokës, nuk do të dijë për ato të shpirtërore edhe nuk e ngre kokën lart drejt qiellit, ku është i fronëzuar Perëndia si burim i çdo të mire. Dikush ka thënë: “Se lakmiqari i ngjan derrit të egër në pyll, që ha lendet në tokë, por asnjëherë nuk e ngre kokën lartë të shikojë nga ku bien këto lende”.

Të pasurit lakmiqarë zakonisht nuk besojnë se ka një Zot përmbi ata, janë ateistë arrogantë, ose indiferentë për gjërat shpirtërore. Prandaj edhe Zoti Jisu Krisht thotë tek ata që kanë veshë për të dëgjuar: “Sa e është vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë. Sepse është më lehtë deveja të hyjë në vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri në mbretërinë e Perëndisë” (Luka 18:24-25).

Vetë jeta, me përvojat e saj të hidhura do t’ia mësojë faktin e hidhur dhe tragjik lakmitarit se “zoti” që ai shpresoi se do ta bënte të lumtur, doli në fund një “zot” i rremë ose mamona (demon i parasë), i cili mund t’i marrë edhe jetën. Shembull unikal i këtij fundi tragjik është Juda Iskarioti, i cili nga lakmia për para, tradhtoi Zotin Krisht, por në fund vari veten: “Ai pra, fitoi një arë me shpërblimin e paudhësisë dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën” (Veprat 1:18).

Duke pasur parasysh të gjitha këto të këqija të lakmisë së bashku me viktimat, Pavli, apostull i Krishtit, thotë: “Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje” (Timotheut 6:10).

Por, duhet të theksojmë se njeriu që ka lakmi nuk është kurrë i lumtur dhe i përmbushur, sepse paraja është një “zot” i rremë, që kërkon gjithnjë e më shumë energji mendore e fizike, sakrifica me parimin “qëllimi justifikon mjetin”, por gjithmonë e zhgënjen, e mërzit, e streson dhe e hidhëron adhuruesin lakmitar, prandaj në Bibël urdhërohet nga Zoti: “Mos lakmo” (Eksodi 20:13).

Asnjë njeri nuk ka qenë më i pasur se mbreti i famshëm Solomon (1037-998, para Kr.), por edhe pse ishte i tillë, ai nuk gjeti kurrë lumturinë te pasuria e tij. Në fund të jetës, thotë i zhgënjyer: “Ai që i do paratë, nuk do të ngopet me para dhe ai që e do pasurinë, nuk do të ketë dobi prej saj, sepse ajo është kotësi” (Fjalët e urta 5:10).

Këtë konstatim zhgënjyes të Solomonit e kanë bërë edhe shumë burra e gra të mençura të kohëve tona, që thonë: “Paratë ende nuk e kanë bërë një njeri të lumtur. Njeriu sa më shumë të ketë, aq më shumë do të dojë. Në vend që të mbushë një vakum, krijon një tjetër”. (Benjamin Franklin, 1706-1790).

Paratë nëse nuk të sjellin lumturi, të paktën të ndihmojnë të jesh i mjerueshëm në luks” (Helen Gurley Brown, 1922-2012).

“Paratë nuk kërkohen për të blerë një nevojë të shpirtit” (Henry David Thore, 1817-1862).
“Bëjini paratë si perëndinë tuaj dhe do t’ju shkatërrojë si djalli” (Henry Fielding, 1702-1754).

Të jesh i pasur nuk është gjë e keqe, përkundrazi kur ajo është produkt i punës së ndershme ose trashëgimi, të siguron një mirëqenie, të jep famë të mirë, miq, guxim shëndet, lehtësi për jetën etj., por pasuria nuk mund t’i blejë të gjitha, si psh: ajo nuk mund të blejë dashurinë që është energji shpirtërore dhe nuk e shmang vdekjen, borxhin edhe armikun më të madh të njerëzve.

Steve Jobs, një nga më të suksesshmit në biznes edhe ndër më të pasurit e botës në shekullin XXI, para se të mbyllte sytë më 5 tetor 2011, pas betejës së gjatë me kancerin në pankreas, la këtë letër ku flet për jetën e tij, sukseset dhe dështimet: “Arrita majat e suksesit në botën e biznesit. Në sytë e të tjerëve, jeta ime ishte kulmi i suksesit. Sidoqoftë, përpos punës, unë kam pak gëzime. Në fund, pasuria është vetëm një fakt i jetës me të cilin unë jam mësuar. Në këtë çast, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt. Në errësirë shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndiej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me çështje të tjera, që nuk lidhen me pasurinë… Ndjekja pa pushim e pasurisë do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndier dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndier iluzionet që sjell pasuria. Pasurinë që kam fituar gjatë jetës sime, nuk mund ta marr me vete. Ato që mund të marr, janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar”.

Mënyra më e mirë për t’i shpëtuar tundimit të lakmisë për para të tepërta dhe për ta jetuar këtë jetë kalimtare pa shumë kokëçarje, është të jetosh thjesht edhe të kënaqesh me ato që ke. Dikush i lutej shpesh Zotit kështu: “Mos më jep as varfëri, as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, me qëllim që pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Zoti?’, ose pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim” (Fjalët e Urta 30: 8-9).

Kurse ai që kërkon të pasurohet me lakmi, hyn në një rrugë pa krye dhe me shumë rreziqe, prandaj apostull Jakovi thotë: “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati si të kryhet, ngjiz vdekjen” (Jakobi 1: 14-15).

Njeriu është një qenie shoqërore, kurse lakmia e shndërron në një egoist, mëkatar. Mëkat në thelb do të thotë dështim i shprehur si pabesia, blasfemia, vrasja, tradhtia bashkëshortore, kurvëria, vjedhja, gënjeshtra, etj. Të gjitha këto mëkate ngjizen nga fara e keqe e lakmisë, e cila e përshpejton vdekjen që merr fuqi nga mëkati. Kjo gjë ndodh edhe për shkak të lodhjes, stresit që të jep sigurimi i parasë së madhe, abuzimit me ato për ç’do kënaqësi mëkatare, të cilat kanë kosto për jetën, por edhe të armiqve të shumtë që krijon lakmia për para. Në fjalët e urta lexojmë: “Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime. Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje” (Fjalët e urta 15: 16-17)

Vdekja për njeriun si qenie trup-shpirt është e dyfishtë, fizike edhe shpirtërore. Ajo shpirtërorja është vdekja e dytë, ose vdekja e përjetshme ku njeriu, si qenie mbetet i ndarë përgjithmonë nga Zoti, të afërmit dhe krijesa. Kjo është një gjendje e frikshme shpirtërore, e cila fillon për së gjalli, por vazhdon edhe përtej varrit, d.m.th. të qëndrosh me veten ku askush nuk të ngushëllon apo nuk të thotë një fjalë: ky është ferri më i keq. Syri lakmitar dhe ferri kanë një të përbashkët, që të dy thonë se: “kurrë nuk u ngopën” njëri me pasuri dhe tjetri me viktima.

Njeriu, qoftë i pasur apo i varfër, një ditë patjetër do të vdesë dhe dihet që asgjë nuk solli në këtë jetë dhe asgjë nuk do të marrë me vete nga pasuria ari, argjendi, dollari, euroja apo prona. Zoti, i Cili është i vetmi që ekziston nga vetvetja, të pasurit egoistët edhe lakmitarë do t’i thotë në kulmin e ëndrrave lakmitare: “O i marrë, sot do të vdesësh. Kujt do t’ia lësh ato që mblodhe?” (Luka 12:20).

Një histori të tillë e kanë vërtetuar këto fjalë. “Një mbret i pasur kishte kaq shumë pasuri sa as ai vetë nuk e dinte sa kishte, kështu thirri ekonomistë të aftë, që t’ia matnin pasurinë. Dhe ai do t’i shpërblente mirë. Shumë erdhën me makina llogaritëse, të përparuara për kohën, por nuk mundën. Më në fund, u gjet një plak i urtë me një litar në dorë, i cili shkoi te mbreti dhe i tha se ishte gati t’ia maste pasurinë. Mbreti i kërkoi të shikonte makinën llogaritëse, por ai i tregoi litarin. Mbreti i tha zhgënjyer se këtu kanë ardhur me makina llogaritëse moderne edhe nuk e kanë matur dot pasurinë time edhe t’i kërkon ta matësh me një litar. Po, o mbret, i tha plaku i urtë, me këtë litar do ta mas, por para se të më tregosh pasurinë, më ço te varri i babait tënd. Edhe, kur vajtën te varri, plaku u përkul me mundim edhe mati gjatësinë edhe gjerësinë e varrit: një metër gjerësi me dy metër gjatësi; u kthye nga mbreti edhe me shumë siguri i tha: O mbret, kaq është pasuria jote, një metër me dy metra, aq sa mori edhe babai yt, të tjerat nuk janë të tuat, por të të tjerëve”.

Prandaj, duke e parë në këtë perspektivë pasurinë e kësaj bote kalimtare me gjithë lakminë e saj, fjalët e Krishtit janë gjithmonë aktuale për çdo njeri të çdo kohe: “Kini kujdes dhe ruhuni nga lakmia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron” (Luka 12:15) dhe “Unë, pra, po ju them: Bëni miq me pasuri të padrejta (jepni lëmoshë), sepse kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme” (Luka 16:9).

Kurse për ata që mbeten në lakminë e tyre deri në fund të jetës, edhe nuk do t’u bëjnë mirë me parat e tyre të tepërta njerëzve në nevojë, do të ketë një dënim të përjetshëm në ferrin e lakmisë së tyre: “Mos u gënjeni, as vjedhësit, as lakmuesit… nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (I Korintasve 6:10)… “do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21: 8). /Gsh.al/

* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën e Tiranës – KOASH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: