Çelet procesi i vetëdeklarimit për 5 mijë apartamente të ndërtuara në bregdet, në tokë shtetërore. Pronarët e apartamenteve në 1200 pallate të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare do të pajisen me hipotekë. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame bëri të ditur dje, se të hënën nis procesi i vetëdeklarimit dhe pronarët kanë afat 60 ditë për të plotësuar formularët. Qytetarët të cilët kanë blerë apartamente në vijën bregdetare nga Durrësi deri në Sarandë, nuk kanë mundur t’i hipotekojnë ato, pasi ndërtuesi nuk kishte blerë truallin.
Vetëdeklarimi
Procesi i vetëdeklarimit për apartamentet në zonat bregdetare fillon në 23 shkurt dhe përfundon në 24 prill. Sipas kreut të ALUIZNI-t, të tilla objekte janë identifikuar në Gjirin e Lalzit, Golem, Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit etj. “Nga evidentimi faktik, rezulton se deri më tani kanë aplikuar pranë nesh 91 subjekte, për rreth 1200 apartamente të përfshira në këtë kategori. Janë 1200 apartamente që kanë blerë qytetarët. Janë disa qindra subjekte të tjera me rreth 4 deri në 5 mijë apartamente të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, pasi nuk kanë mundur të deklarojnë me ligjin e 2009-ës”, – tha Lame. Sipas Lames, të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtuese të cilat nuk kanë pronësi mbi truallin, të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t, për të aplikuar për këtë qëllim.
Pagesat
Sipas ligjit në fuqi, çmimi i truallit brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa ALUIZNI lidh kontratën e shitjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, sipas modelit-tip, si dhe njofton me shkrim subjektin e interesuar ose personin e stimuluar që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe për masën e çmimit. Çmimi i truallit të paguhet i plotë, mospagimi i çmimit nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar brenda 6 muajve nga njoftimi me shkrim, sipas pikës 3, të nenit 10 të këtij ligji, sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë. Të gjitha njësitë e ndërtuara, të cilat janë në proces legalizimi, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’i nënshtrohen zbatimit të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)