TIRANE- Kreu i ALUIZNit, Artan Lame në një deklaratë për media hodhi sot poshtë akuzat e bëra në drejtim të tij nga Jamarbër Malltezi se po bëhen legalizime në zonë ne Parkut Kombëtar tek Liqeni Artificial. Sipas tij, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha janë merakosur pasi ALUIZN-i ka për qëllim pastrimin e kësaj zone nga ndërtimet pa leje, të bëra siç shton lame, në kohën e qeverisë Berisha.

“Kufijtë e Parkut të Liqenit janë miratuar me vendim të KRRTRSH nr.4 datë 23.06.2004. Sipas atij vendimi, zona për të cilën akuzon Sali Berisha sot, përfshihej brenda Parkut të Liqenit. Por tre vjet më pas, në kuadër të shpalljes së vendbanimeve informale që hyjnë për legalizim, i njëjti institucion, pra KRRTSH, tashmë i drejtuar nga Sali Berisha, ka marrë vendimin nr.1/1 datë 26.10.2007, në të cilin zona e Parkut për të cilën sot Saliu na bërtet neve, vetë Sali e ka shpallur “vendbanim informal”. Në atë kohë kjo zonë kishte shumë pak ndërtime pa leje, sepse njerëzit e kishin frikën që është zonë e Parkut, por menjëherë pas shpalljes “zonë Informale”, ajo u mbush me ndërtime, shtëpi dhe vila banimi, restorante, hotele, madje edhe seli diplomatike. Një pjesë e këtyre objekteve edhe janë legalizuar, po në kohën e Saliut. Atëherë çfarë dreqin kërkojnë sot nga ne këta njerëz?

Pse nuk ndërhynë ata më parë kur i kishin jo vetëm të gjitha mundësitë po edhe detyrimet ligjore të mos lejonin valën shumëvjeçare të ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut? Pse u kthyen pronat në Park dhe pse nuk u kujtuan këta bilbilenj të sotëm të shkatërrimit të djeshëm për këto që i rrokanisin sot kokën publikut? Përgjigja është e thjeshtë: Sepse këta nuk u menduan asnjë ditë për mbrojtjen e parqeve e të hapësirave publike, po punuan ditë natë për gllabërimin e tyre”, thotë Lame.

Sipas tij, “Parku i Tiranës dhe kafshimet që i janë bërë atij në tetë vjetët e qeverisjes së Sali Berishës dhe në katër vjetët e Lulzim Bashës, janë një dhembje pafund për të gjithë ne. Asnjëherë Lulzim Basha nuk denoncoi këtë kafshim të Parkut të Tiranës, ashtu siç nuk denoncoi kafshimin që u bë në krah të Universitetit, ashtu siç nuk denoncoi kafshimin që ju bë në rrugën e Elbasanit, ashtu siç nuk denoncoi, madje i dha vetë lejet në Zonën e Digës. Edhe tani nuk del nga vrima e vet, por nxjerr vjehrrin dhe dhëndrin për të na i lënë në derë ne gjithë doçërit e tyre. Vetëm në muajt e fundit jemi përpjekur të ndreqim sa të mundemi nga këto krime. Duke rikthyer si pjesë të Zonave të Gjelbra gjithë zonën në krah të Universitetit të Tiranës, duke anuluar lejet në Zonën e Digës së Liqenit, duke i rikthyer Parkut atë ç’ka mund ti kthehet nga kjo zonë, duke i dalë edhe kundër vendimit të Saliut që tani pikërisht për këtë gjë hidhet përpjetë dhe na akuzon ne”.

Lame tha më tej se, “Së shpejti qeveria do fillojë një projektin për pastrimin e Parkut nga ndërtimet pa leje dhe kjo është arsyeja që Saliu na sulmon neve. Qeveria ka edhe një program për pyllëzimin e zonave të zhveshura të Parkut, dhe kjo është prapë një tjetër arsye se pse Saliu na sulmon neve”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: