TIRANE- Në një kohë kur ndërtimi pa leje konsiderohet një vepër penale, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi sot se në Shqipëri vijon të jetë ende prezent ky fenomen.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Lame pohoi se në një kohë kur në vendin tonë ishin 10 raste të ndërtimeve pa leje, sot ka 1. Sipas tij ka ende zona që nuk janë të monitoruara dhe nuk mund të shtrihet lehtësisht kontrolli, ndërsa theksoi se ka ende qytetarë që nuk janë të informuar për ligjin e ‘Legalizimeve’.

“Kam kurajo që të them se edhe sot në Shqipëri ndërtohet pa leje. Shqiptarët kanë të paktën rreth 250 mijë vjet që ndërtojnë pa leje dhe s’mund të vinte një qeveri që mos ti lejonte. Nëse në 2013 ndërtoheshin 10 pa leje, sot ndërtohet 1. Sot ndërtohet pa leje, në zonat ku territori është i dobët, ku nuk është e lehtë që të kontrollohet. Kush e di se ça po ndodh në një zonë në Bathore. A as nuk e di se duhet një leje. Ka të bëjë me një lloj fobie që kanë shqiptarët për letrat. Në 2013 u lëshua në Tiranë ndërtimtaria. Do ishte një marrëzi e pafund, të cilët i vuajmë ne në kurriz. Kur unë kritikoj të sotmen, nuk ka imagjinatë për të kritikuar të djeshmen. Në shumë raste ndërtojnë pa lejen, se kanë pritur të ndërtojnë me leje, dhe ka disa vjet që kanë qenë të bllokuara. Ka pasur një reformë administrative.”, tha Lame.

Nga ana tjetër Lame e cilësoi një betejë të fituar aksionin kundër ndërtimeve pa leje në vend, ndërsa tha se edhe opozita ka ndalur akuzat. Ai tha se lejet e legalizimit nuk kanë ngjyra partiake. Kreu i ALUIZNI-t bëri të ditur se në rang vendi u evidentuan 437 mijë ndërtime pa leje, shifra këto të mbivendosura në disa raste.

“Është një betejë e fituar. Opozita nuk e zë më në gojë. Se s’ka ca thotë. Nuk është betejë e fituar e PS apo e Artan Lamees apo Edi Ramës. Lejet e legalizimit kanë një vijë të verdhë aty dhe nuk ka asnjë vijë rozë. Është gjë e mirë që nuk është çështje numrash. Kaloi faza e luftës së shifrave, ka hyrë në ritëm që tejkalohet ecuria. Për herë të parë u bë vjet censusi, të ndërtimeve pa leje, dhe u arrit në një shifër 437 mijë ndërtime pa leje. Kishte mbivendosje dhe po të llogarisim kanë qenë 350 mijë reale pa leje.

Kreu i ALUIZN-it theksoi se kushdo që sot ndërton pa leje, me legjislacionin që është në fuqi, nuk legalizohet.
“Me ligjin që është sot në fuqi legalizohet çdo gjë që është ndërtuar përpara qershorit 2014.  Ligjit që ishte iu bënë përshtatjet e nevojshme. Sipas këtij ligji, ndërtimet që nuk mund të legalizohen,  prishen në momentin që ka një projekt infrastrukture që kalon aty. Nëse ka një projekt, miratohet projekti dhe shkohet aty. Ato që janë objekte veprimtarie përgjithësisht prishen pa shpërblim. Deri sot kjo qeveri nuk ka prishur shtëpi pa leje pa u dhënë një dëmshpërblim. Ato që janë të legalizuara i nënshtrohen shpronësimit sipas ligjit.”- deklaroi Lame.

Sipas Lames, ligji i legalizimeve u jep të gjithë ish-pronarëve nga pak.

“Ky shtet nuk jep dot 300 milionë, jo 30 miliardë për pronat. Ligji i vjetër thoshte do ta marrësh të gjithë dhe s’të jepte asgjë, ligji i ri thotë do marrin të gjithë ish-pronarët nga pak. Çfarë faji kanë fëmijët tanë të paguajnë një krim të bërë para 70 vjetësh. Në kaosin e lejeve 7051, u mbivendos kthimi i pronave, privatizimi, dyndjet që erdhën me zor e kështu me radhë. Hyri në mes shteti me ligjin e legalizimeve dhe thotë ti do paguash tokën që e ke zënë dhe këto para do t’ia jap këtij i të cilit ka qenë toka. Ky është thelbi i ligjit që po funksionon.”- tha ai.

Kreu i ALUIZN-it, bëri të ditur se deri tani janë shpërblyer 3500 pronarë, të cilëve u është zënë toka.

“Ne kemi dëmshpërblyer rreth 15 milionë dollarë, që janë mbledhur nga publiku dhe u janë dhënë këtyre. Ai që e ka zënë tokën e kupton që nuk e ka të vetën, duhet ta paguajë.”- tha Lame.
(ed.me/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: