Nga: Mariglen Mërtiri

TIRANË- Të udhëtosh me shpejtësi në rrugët e vendit tashmë mund të cilësohet një sport i ndaluar. Radarët e policisë rrugore që janë të shtrirë në të gjithë vendin dhe po veprojnë prej ditësh ndaj shkelësve të ligjit, kanë sjell edhe një ndërgjegjësim të drejtuesve të mjeteve dhe ulje të numrit të aksidenteve.

Radarët e lëvizshëm janë të pozicionuar në pika të ndryshme të akseve interurbane kryesore por pa u identifikuar. News24 mundi të ndiqte nga pranë një nga radarët dhe efektivitetin e tij në lëvizjen e mjeteve.

Ervin Dervishi, specialist i sigurisë rrugore në policinë e shtetit bën me dije se radari mat shpejtësinë me dy mënyra, manualisht dhe automatikisht. Në rastin e parë drejtuesi i mjetit fotografohet dhe gjoba i shkon në adresën e banimit ndërsa manualisht drejtuesi i mjetit e merr në kohë reale gjobën dhe fotografimin me shpejtësinë e konstatuar siç ndodhi me një makinë “Fiat” që u konstatuar me 137 km në orë në një rrugë që lejohet me 90 km.

Rastet më të shpeshta të shkeljeve janë tejkalimi i shpejtësisë dhe parakalimet e gabuara. Por, oficeri i policisë Dervishi sqaron se gjatë fundjavës së shkuar, drejtuesit e mjeteve që nuk respektonin karvanin e mjeteve në trafik dhe shkelnin karaxhatën u është marrë leja e drejtimit.

Ndërkohë që prej javësh është kufizuar lëvizja e mjeteve bujqësore dhe teknologjike si dhe mjetet e autoshkollave për të lëvizur gjatë fundjavës në akset kryesore pasi janë shkaktarë të trafikut të rënduar. Policia rrugore nga ana e saj ka shtuar numrin e efektivëve në terren në kohën e pikut të sezonit turistik.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb