Është ndarë nga jeta të mar tën Skënder Selimi, profe sori i parë dhe themeluesi i shkollës së baletit shqiptar. Ka shumë njerëz që i marrin jetës gjithçka dhe vazhdimisht kërkojnë vëmendje. Ka të tjerë, që i japin gjithçka asaj, komunitetit, vendit të tyre dhe si shpërblim i kërkojnë vetëm një gjë… të punojnë. Këta janë të pakët dhe historia e vendit të tyre kujtohet për ta kur këta reshtin nga lufta, vetëm pasi i dorëzohen cinizmit të moshës. Një i tillë është pa asnjë dyshim Skënder Selimi, mjeshtri absolut i kërcimit shqiptar, më i pari në çdo gjë që ka lidhje me baletin kombëtar. Të mjafton ky fakt, që të të sjellë në mend faktin se sa e padrejtë ka qenë shpesh Shqipëria me bijtë e vet më të mirë.

NË RUSI
Rostisllav Vlladimiroviç Zaharov, një nga legjendat e baletit të ish-Bashkimit Sovjetik, do t’i vendoste i fundit, si kryetar i një jurie me emra aspak më të ulët se ai në famë, diplomës së studentit shqiptar Selimi vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Kjo mund të duket si përrallë sot, por nuk kishte si të mos ndodhte kështu me dokumentin final të shkollimit të baletmaestrit shqiptar.

Skënder Selimi e nisi jetën e vet që në rezistencën antifashiste, për t’u ngjitur falë talentit të vet natyror dhe të kultivuar me djersë majave më të larta të artit kombëtar. Nëse do të jetonte dikund tjetër me firmat, që mbante mbi diplomë; nëse vendi i vet nuk do mbartej në përrallat aluçinante të një sistemi të dështuar, fati i tij do të ishte tjetër, por Skënder Selimi edhe me të gjithë kinse shakatë që i bëri regjimi, pseudo-miqtë, e më shumë akoma kapriçot e jetës, arriti të mbijetojë falë artit të vet, qoftë edhe në cepat më të humbur të vendit. Je cinik nëse do të mbledhësh në pak rreshta jetën e vet. Nëse do të të lejonte koha një parakalim të shpejtë te jeta e vet social-artistike, do kuptosh se ai është kudo i pari në fushën e vet. Është njeriu që ka vendosur duetin e parë klasik shqiptar te “Anusha”; koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar te “Alba”; koreograf i vodëvilit të parë shqiptar “Mirela”; autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”.

Dhe, jo vetëm kaq: pedagogu i parë dhe themelues i katedrës së Koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Doktor Profesori i parë me titull shkencor në fushën e koreografisë, Mjeshtër i Madh i Punës etj… Baletmaestri ynë i nderuar, me diplomë të shkëlqyer, ishte nga të rrallët studentë të ish-BRSS-së të gjysmës së dytë të shekullit XX, që mbylli shkëlqyeshëm Institutin e Lartë GITIS (sot Akademia Koreografike), me pedagogë që çdokush nga balerinët e gjallë dhe të vdekur, as nuk i ka menduar. Dhe, nuk mbaron këtu, sepse ky patriot i rrallë (e theksojmë) të gjithë këtë kulturë shkollore teorike arriti ta disiplinojë për herë të parë me peshën e duhur në baletin kombëtar, folklorin kombëtar, folklorin e përpunuar, teorinë e koreografisë, baletin klasik dhe në përgjithësi në të gjithë artin shqiptar të kohës së tij. Kaq mjaftojnë për një piedestal, por jo në Shqipëri, ku në çdo çast të pret një kurth: Skënder Selimi ka një jetë që do t’ia kishte zili kushdo për një skenar filmi-autor.

JETA
Jetim. Antifashist. Mbaron shkollimin ushtarak “Skënderbej”. Fillon të aktivizohet vetë në art, kor, teatër dhe kërcim intuitiv. Kur shqiptarët janë të çartur nga shkatërrimet e luftës, ky i ri i jashtëzakonshëm u mëson shokëve të vet kërcimet e kohës: tango, foksstrot, rumba, vals, çarleston dhe sidomos vallet popullore, pogonishte, napoleonin, zerqan etj. Taljenti do “ta privojë” nga ëndrra që të bëhet ushtarak i mirë. Nga arma shkon ngjitet në skenë. Kulmon në baletin “Shatërvani i Bahçisarajt”, vënë në skenë nga regjisori rus Georgi Perkun, ku luan rolin e Nuraliut. Perkun i bën një vlerësim të lartë artistik, duke e konsideruar talent dhe student me perspektivë për artin koreografik. Po ai, i beson Kuazimodon, kur në skenë ngjit baletin e dytë “Esmeralda”.

Në rolin më të vështirë, që e realizoi me shumë art, Skënderi trason udhën e vet, që institucionalizohet me bursën e studimit të lartë në fushën e Koreografisë, në Moskë tek Instituti i Lartë GITIS. Në një nga shkollat më elitare të botës, ai do të shikojë se tashmë talenti i tij është jo vetëm për skenën, por edhe për diçka krejt tjetër madhore: teorinë e koreografisë, baletin klasik. Dhe këtë traditë të madhe do ta sjellë në një vend, që është shekuj pas dhe madje ende pa mjetet elementare artistike. Skënderi nuk ndalet. Është ai protagonist.

Atje ku të tjerët shohin hone, ai shikon skena, ka librete në kokë dhe skenografitë në kokë i zënë vendin njëra-tjetrës. Në Shqipëri do befasojë me baletet si “Anusha”, “Fadeta”, “Zhurale”, “Silvia”, “Laurencia” dhe “Sheherazade”. Kjo e fundit, balet në një akt, që e ka premierën më 30 qershor 1963. Kur pas 43 vjetësh, së bashku me skenografin Agim Zajmi, e ftojnë për ta rivënë në Teatrin e Operës dhe Baletit, vepra ka të njëjtin nur, por është edhe më elegante dhe emocionale. Profesorin nuk e lënë të zbresë nga skena, në një apoteozë që do ta ëndërronte çdo artist.

Deri më aty, repertori krijues i Skënder Selimit është i pafundmë: veç baletit, ai ka ndihur me krijimin e shumë valleve, kurse një meritë e madhe e tij janë shfaqjet teatrale ku ai ka dhënë ndihmesë shumë pasuruese. Lista këtu është e pakët, por kuptimplotë: “Hamleti”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Romeo e Xhuljeta”, “Borgjezi Fisnik”, “Letër e Humbur”, “Deputeti oportunesku”, “Ylli i Alpeve”, “Opera për dy grosh”, “Mbreti Lir”, “Valsi Titanik”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Diktaturës nuk i mjaftoi kjo dhe “i fali” një jetë tjetër në cepat e Shqipërisë, por tashmë jo të merrej me balet, por të endej nga fshati në fshat për të kultivuar dhe mbledhur artin. Që këtu fillon kapitulli më i vështirë për një artist të zhgënjyer por jo të dorëzuar.

Skënderi kalon provën e fundit të jetës, por ndërkohë “i zhgënjen” dashakeqët me energjinë e tij të pashterur, kur përgatit të gjithë dokumentacionin e katedrës së baletit dhe merr përsipër që ajo të marrë jetë. Këtë herë burokratët e regjimit janë zënë mat. Në vitin 1981 merret vendimi zyrtar dhe maestroja ynë vjen në Tiranë si udhëheqës shkencor në katedrën e Koreografisë. Tani baletmaestri ynë është afër artit të tij të adhuruar. Por, kujdes, s’është më krijues por pedagog, duke nxjerrë breza të tërë, që e adhurojnë deri në apoteozë profesorin e tyre, që e mbylli jetën në një shtëpi të thjeshtë, në muzgun e një jete të jashtëzakonshme, por tashmë kaluar që në të gjallë në legjendë për brezat e artistëve shqiptarë.

VLERËSIMET E KOLEGËVE NDËR VITE
Prof. Vangjush Furxhi, Artist i Popullit, 1998, me rastin e 65-vjetorit të prof. Skënder Selimit ka thënë: “Në begatinë koreografike të Skënder Selimit duhet të nënvizojmë ‘Anushën’ (balet shqiptar me një akt), që duhet parë si krijim i veçantë zanafillës deri në shfaqjen e baletit të parë dhe të plotë shqiptar “Halili dhe Hajrija” si dhe “Albën”, që është kërcimi i parë modern shqiptar, i realizuar në vitin 1972″. Ndërsa Luan Shtino, pedagog pranë Akademisë së Arteve dhe Shkollës së Baletit, është shprehur se “Skënder Selimi është një nga figurat më të shquara të artit koreografik shqiptar.

Kontributi i tij si baletmaestër me koncepte bashkëkohore dhe me një kulturë shumë të gjerë ka bërë që veprat e tij skenike të spikasin dhe të kenë vulën e tij si koreograf novator”. Artisti i Merituar Albert Janku, pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura më 2005, ka thënë se “Koha që ai krijoi në TOB është relativisht e shkurtër, vetëm një dekadë. Veprat e tij janë po aq vite sa punoi. Ai formoi personalitetin e tij artistik si një krijues reformues. Pa huazuar një koreografi të krijuar nga autorë të tjerë, Skënderi është shumë pjellor dhe ajo që korr me të vërtetë është origjinale e tij”.

Të njëjtat vlerësime ka dhënë Artisti i Popullit Piro Mani: “Në këtë këndvështrim Skënderi është jo vetëm pionieri, por edhe më i përsosuri. Së bashku kemi eksperimentuar që në vitet ’60, jo vetëm baletin për shfaqjet teatrore, por edhe plasticitetin. Kujtoj veçanërisht shfaqjen ‘Nata e dymbëdhjetë’. Te ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, me efektin plastik ndihmoi për krijimin e imazhit skenik”. “Kontributi i Skënder Selimit është në disa drejtime, së pari si koreograf dhe si një ndër krijuesit e baletit klasik, që vuri bazat dhe konceptet profesionale. Është ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare. Ai ka edhe një veprimtari të gjerë pedagogjike, ku spikat përpjekja për ruajtjen e individualitetit të studentit”, – është shprehur Prof. Agim Zajmi, Artist i Popullit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb