TIRANË- 70 vjetori i Çlirimit u përkujtua sot në mbrëmje edhe me anë të një pritje në Pallatin e Kongreseve, ku krerët e qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta ngritën lart vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare, e cila sipas tyre e renditi Shqipërinë në anën e duhur të historisë, pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme politike. Rama e Meta dënuan atë që ndodhi pas lufte. Duke iu referuar regjimit komunist kreu i qeverisë e cilësoi atë si krimin e pasluftës, ndërsa kryeparlamentari si aksiodent dhe dramë historike. Por të dy e distancuan luftën çlirimtare nga paslufta

RAMA: PAS LUFTE PATI KRIM, LANC NA RENDITI NE ANEN E DUHUR TE HISTORISE
Për Ramën, kjo luftë nuk duhet të ngatërrohet me marrjen e pushtetit politik që solli vendosjen e komunizmit në Shqipëri dhe krijoi mjaft dasi mes shqiptarëve.
“Lufta e Dytë Botërore e arriti Shqiprtinë para fillesës së saj zyrare, shqiptarët u përfshinë në luftën e madhe, një pjesë në frontin e LANC, një pjesë mbijetuan me vështirësi në kushtet e luftës dhe një pakicë u regjistrua në anën e gabuar të histories. Ky spektër gjithsesi jo njëngjyrësh nuk i dalloi shqiptarët nga asnjë vend tjetër i kontinentit. Shqiptarët në shumicë u pozicionuan në anën e duhur të historisë, shqiptarët pa dallim ideje krahine dhe feje u bashkuan në LANC. Përulemi me respekt para kësaj sacrifice, na dhanë të drejtë të bashkohemi me vendet e Evropës së lire, në momentet kur u ndanë fitimtarët e të humburit. Me madhështinë e padiskutueshme të asaj lufte dhe paslufta u shoqëruan me pasoja të rënda anësore. Udhëheqësit i shtuan objektivit të luftës që ishte çlirimi edhe objektiva të tjerë si marrja e pushtetit politik. Ky ishte ai moment që rëndon edhe sot e gjithë ditën, nxit përpjekjet për të tentuar të kompromentojë vetë luftën, këto janë përpjekje të dëshpëruara që s’kanë lidhje me luftën për çlirim. Këto përpjekje ushqejnë dasi mes shqiptarëve”, tha Rama.

 

Kryeministri Rama u shpreh se, “ajo që shoqëroi pasluftën në Shqipëri përbën një krim që e shoqëroi Shqipërinë për dekada me radhë. Por mëkatet që e shoqëruan Shqipërinë pas lufte, nuk hedhin poshtë atë që ndodhi në Shqipëri gjatë luftës”.

 

“Ky ishte destinacioni historik i pasluftës, Shqipëria nuk përbën rast unikal, është pjesë e gjysmës që shkoi në drejtim të gabuar pasi qendroi gjatë luftës në anën e duhur të histories”, theksoi edhe njëherë kryeministri.

 

META: SOT DHE NESËR DUKE RESPEKTUAR LUFTËN E DJESHME NE SHOHIM TË ARDHMEN

Ndërsa Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duke iu drejtuar veteranëve tha se, “70 vjertori i lavdishëm është një nderim i thellë për ju të dashur veteranë. Kjo është dita juaj, është kurura e asaj që ju bëtë në rininë tuaj. Mirnjohje të thellë për ata që dhanë jetën për liri, respektojmë veteranët e sotëm. Është ditë respekti dhe lutje, kujtesë historike. Kjo ditë kërkon mirënjohje të thellë për të gjithë ata që të bashkuar pa dallim bindjeje politike e rreshtuan vendin tonë përkrah fituesve të luftës, përkrah SHBA dhe Anglisë. Ata e nisën luftën në 7 prill 1939 dhe ato ishin nga të shtënat e para në Evropë. Shqiëpria dhe shqiptarët dhanë martirët e parë të asaj lufte”, tha Meta.

 

Sipas tij, “Lufta e LANÇ ishte heroizmi i një brezi që kishte dalë nga shkollat, që lanë dhe studimet për lirinë e atdheut. Ishte heroizmi i një brezi që e dinte cila ishte jeta ndaj luftoi për atë. 5 vite luftë ishte çmimi i një sakrifice dhe fature gjaku që shqiptarët nuk hezituan ta firmosnin”, theksoi Kreu i Kuvendit.

 

Sipas Metës në këtë luftë ka një të vërtetë të madhe, të cilën ai nuk hezitoi ta bëjë të ditur edhe njëherë “edhe pse fitimtar vendi ynë rrezikoi të trajtohej si humbës në këtë luftë, u kërcënua me shkëputje dhe ndarje, ndaj themi me zë plot se pa 29 Nëntorin e 1944 nuk do kishim mundësi të festonim 28 Nëntorin e 2012 këtu qendron edhe madhështia e Luftës”.

 

Gjithashtu Kreu i Kuvendit u shpreh se, “Shqipëria ishte ndoshta i vetmi vend në Evropë, në të cilin popullsia hebreje u shumëfishua në krahasim me fillimin e saj dhe asnjë hebre nuk u bë pre e Holokaustit. Kjo tregon për mikpritjen shqiptare, besën, shqiptare, siç shfaqet dhe në filmin ‘Besa’”.

 

Sipas Metës kjo luftë nuk mund të lidhet me ideologjinë dhe komunizmin. Ai e vlerësoi si aksident dhe dramë historike atë që ndodhi pas saj. Madhështinë e LANC nuk mund ta cënojë komunizmi, tha ai më tej.

“Lufta nuk mund të lidhet me një ideologjinë, por ishte e gjithë shqiptarëve. Pavarësisht debateve dhe kundërshtive e vërteta ka 3 elemente, lufta ishte antifashiste dhe çlirimitare, patriotike dhe mbarëpopullore. me pas aksident dhe dramë historike e parashikuar të ndodhte. Ai aksident përfshiu gjysmën e botës, kalvari i vujtjeve që solli vendosja e komunizmit ehde për shumë komandantë të lavdishëm të luftës, nuk mund të cënojë madhështinë e saj. Sot dhe nesër duke respektuar luftën e djeshme ne shohim të ardhmen.Triumfi i djeshëm është themeli u Europës së bashkuar ku duam të jemi anëtarë”.

DREKE ME VETERANET, META: PA 29 NËNTORIN 1944, NUK DO TË KISHTE AS 28 NËNTOR 1912

10251961_10152562460091523_4818082419826238051_nKryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kanë shtruar një drekë për nder të veteraneve të luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare në ambientet e restorant “Xibraku” vetëm pak metra larg Pallatit të Brigadave.

Kryetari i Kuvendit, Meta, shprehu nderim per veteranet, duke theksuar se “Na duhet të përsërisim fort një të vërtetë historike që lidhet me rëndësine e 29 nëntorit dhe çlirimit të atdheut, se pa 29 nëntorin e 1944 nuk do të kishte 28 nëntor të 1912, sepse pa 29 nëntorin e 1944, Shqipëria do të ishte cilësuar si një vend humbës i luftës e do të ishtë copëtuar siç u coptuan shumë shtete të tjera të Evropës”.

“Qarqet shoviniste fqinje u përpoqën ta paraqisin Shqipërinë si një vend humbës dhe ta coptonin atë dhe ta trajtonin atë si një palë humbëse. Ishte gjaku i dëshmoreve dhe heronjve dhe i gjithë popullit shqiptar, që gargantuan rikthimin e 28 nëntorit të Ismail Qemalit, vazhdimësine e shtetit tonë, duke ruajtur të pa prekur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Prandaj ne përkulemi me nderim e mirënjohje  të jashtzakonshme ndaj sakrificës që bënë dëshmorët dhe heronjte dhe të gjithë ata që kontribuan në luftën Antifashiste Nacional- Clirimtare”, tha Meta.

Po ashtu, Meta cilesoi si dy vlera të mëdha të shqiptarëve, kontributin e tyre per të mbrojtur hebrejte dhe tolerancen e popullit tonë me trajtimin e ushtareve italianë, vlera këto qe shqiptaret i ruajne nga tradita. Prandaj dhe një herë mirënjohje njerëzve te sakrificës për Atdheun”, tha Meta.

 

 Rama në takimin me veteranët u shpreh: “Nuk kam shumë fjalë për t’i shtuar fjalëve që renditi Kryetari i Kuvendit. Dua vetëm të shpreh në emër të Qeverisë, mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju dhe të gjithë ata që sot nuk janë këtu të pranishëm dhe po ashtu, të përulem me shumë respekt, bashkë me të gjithë ju, në nderim të kujtimit të lavdishëm të gjithë heronjve dhe dëshmitarëve të luftës antifashiste.

Nga ana tjetër dua të theksoj se jemi shumë krenarë që sot jemi këtu, në respekt dhe në përpjekje të vazhdueshme për të mishëruar përmes qeverisjes sonë dhe përmes betejave tona, ato ideale, ato ëndrra dhe ato shpresa që çuan shumë vajza e djem në rrugën e një luftë çlirimtare, e cila u kurorëzua në 29 nëntor të vitit 1944.

Dhe sigurisht është për të ardhur keq, që datën e çlirimit nuk e diskutojnë ata që bënë luftën dhe që çliruan vendin, por e diskutojnë ata që tradhtuan apo ata që nuk ishin fare atje.

Nga ana tjetër është e padyshimtë që përpjekja për të sulmuar vazhdimisht dhe për të vënë në diskutim datën, e përcaktuar nga ata që ishin në fushën e betejës, është një përpjekje për ta fshehur 29 nëntorin pas 28 nëntorit dhe për të mos i dhënë Luftës Antifashiste, atë vlerë të jashtëzakonshme që ka, sepse rreshtoi popullin shqiptar dhe Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të një beteje për jetë a vdekje dhe bëri të mundur bashkë me të tjerët, që bota të shpëtonte nga një murtajë si ajo e nazizmit dhe fashizmit.

E pra, ne i shohim me keqardhje të gjithë ata që bëjnë përpjekjen e dëshpëruar për të cenuar 29 nëntorin dhe që e ngatërrojnë 29 nëntorin me gjithçka dita e madhe e çlirimit solli pas, si pasojë e vendosjes së një diktature. Janë dy gjëra që nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën, sepse ashtu si sot, edhe në 29 nëntor të vitit 1944  flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit i lirë, krahas me flamurin e Shteteve të Bashkuara, krahas me flamurin e Britanisë së Madhe, krahas me flamujt e gjithë botës së lirë. Se çfarë ndodhi midis dy 29 nëntorëve, atij të para 70 vjetëve dhe atij të sotmit, kjo është një histori krejt tjetër, që nuk i jep askujt të drejtën të godasë datën e madhe të çlirimit të atdheut tonë.

Faleminderit të gjithëve. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë dhe ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka, për të qenë çdo ditë në lartësinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithë atyre që luftuan, punuan, sakrifikuan, jetuan me dëshirën e madhe për ta parë Shqipërinë një vend të denjë për fëmijët tanë”.

KODHELI: RESPEKT E MIRËNJOHJE PËR ATA QË SAKRIFIKUAN PËR ÇLIRIMIN E VENDIT
1528514_10152562370611523_5785255950442192039_nMe rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të atdheut, u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes Ceremonia Ushtarake e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në ceremoninë jubilare ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama ishin të pranishëm Presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i FA-ve shqiptare, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Gjeneral Major Jeronim Bazo, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, atashe ushtarakë, përfaqësues të komuniteteve fetare, etj.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli iu drejtua me një përshëndetje pjesëmarrësve, ku theksoi se “29 nëntori është një ditë e shënuar në historinë popullit tonë, e cila kurorëzoi një përpjekje heroike kundër tiranisë”.

Në fund të ceremonisë truproja e nderit bëri dhe një demonstrim ushtarak. Në mënyrë simbolike trupat krijuan simbolin e 70 vjetorit të Çlirimit. Forcat Ajrore ishin pjesë e kësaj ceremonia.

KREMTOHET 70-VJETORI I ÇLIRIMIT TË VENDIT, HOMAZHE NË VARREZAT E DËSHMORËVE
10386242_10152562344576523_275410629820016807_nKrerët më të lartë të shtetit zhvilluan sot paradite homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e 70- vjetorit të çlirimit të vendit. Përfaqësuesit me të lartë të shtetit janë përulur ne shenje respekti per dëshmorët që dhanë jetën për Atdhe. Në cermonin e organizuar merrnin pjesë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, veteranë të Luftës Atifashiste Nacional Clirimtare etj.

(m.arapi/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: