TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha se heqja e TVSH-së për sipërmarrjet deri në 10 milionë xhiro vjetore si dhe tatimit mbi fitimin është vetëm njëra anë e medaljes, duke treguar se tjetra është heqja nga qafa e bizneseve të inspektorëve tatimorë. Në përgjigjen e sotme për qytetarët, Rama tha se shumë shpejt do të fuset në funksion një sistem ultra modern i fiskalizimit që do të dixhitalizojë të gjitha transaksionet.

“E the shumë mirë dhe të falënderoj. Heqja e taksës për ju, për të gjithë ata që punojnë fort, janë të vetëpunësuar, punësojnë të tjerë, kanë një biznes të vogël që e rrisin me mund, durim e sakrifica është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është heqja përfundimisht nga qafa juaj e të gjithë grupeve, nëngrupeve dhe stërgrupeve të atyre që vijnë aty për të bërë detyrën e shtetit, për të kontrolluar por fatkeqësisht shpesh vijnë aty për të abuzuar. Ata nuk do të shfaqen më në derën tuaj.

Ne jemi gati dhe shumë shpejt do të fusim në funksion një sistem ultra modern të fiskalizimit që do të dixhitalizojë të gjitha transaksionet dhe ju do duhet thjesht të regjistroni transaksionet që së bashku të jemi aleatë për të mbrojtur arkën e shtetit nga grabitqarët e mëdhenj. Nga ato biznese të mëdha që ju kanë përdorur juve për të shkarkuar dhe për të mos paguar. Patjetër që më e mira është përpara dhe më e keqja është pas nesh, në të gjitha drejtimet. E mira nuk ka fund por ju e dini shumë mirë që e keqja që kemi lënë pas nuk është pak”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: