Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, largimin e mjekut infeksionit, Tritan Kalo, nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, si dhe largimin e Najada Çomos për t’u angazhuar me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.

Sa i takon largimit të Kalos, Brataj tha se ky është një vendim personal i mjekut, por shtoi se i vjen keq, edhe pse sipas tij, Shqipëria nuk ka vetëm atë apo Kalon, por edhe plot profesionistë të tjerë.

Ndërsa përfshirjen e Çomos në politikë, Brataj e sheh si diçka pozitive, pasi sipas tij, politika duhet t’iu japë mundësinë profesionistëve, mes të cilëve janë padyshim edhe mjekët.

Pjesë nga intervista:
Si e shihni largimin e Kalos nga Komiteti i Ekspertëve?
E mora vesh nga mediat dhe nga mesazhi i vetë Prof.Kalos. Zgjedhje personale, por ai kishte shpjeguar disa arsye te statusi i vet, që nga presioni i jashtëm, i brendshëm. Më vjen keq për një profesionist, bashkëpunoja shumë me të dhe do të bashkëpunoj, por besoj është zgjedhje personale.

Ai fliste për përçarje…
Ai referohej nga të gjitha kryeqytetet e botës. Edhe unë këto ditë kam një debat shumë të ndezur me një grup të mjekëve, nuk jam dakord, por situata kjo është. Ajo që më vjen shumë keq është fakti që në një grup mjekësh bëhesh meme. Ne mësonim nga njëri-tjetri, por arritëm në momentin që intervistat t’i bëjmë si subjekt memesh te mjekët. Unë bëra një status ku u përpoqa të sqaroja të vërtetën, nuk dëgjuan dhe vazhduan. Bëra sërish një sqarim, se si është gjëja aktuale, nuk janë dakord, e shohim cdo gjë si katastrofale. Shoh disa nga administratorët, sepse ata i lejojnë publikimet e njërit apo të tjetrit, që më thanë ta spostoja te grupi debatin. Pashë që disa aty nuk e dinin as zanafillën e debatit. Një grup mjekësh thonë se janë 5-6 mijë pacientë rëndë nëpër shtëpi. I bëjnë llogaritë shumë gabim. Nga të infektuarit aktivë, e kemi thënë që 20% kanë simptoma, por jo të gjithë rëndë. Unë e di që ka shumë pacientë në shtëpi, se refuzojnë të shtrohen në spital, por jo të përhapësh një tmerr.

Në fakt thuhet se banesat janë plot…
Janë format e lehta. Ne e dimë që ka pacientë në shtëpi. Pse duhet të fusim këtë tmerr njerëzve. E dimë që gjendja nuk është e mirë, këto shifra nuk kanë qenë asnjëherë, si në shkurt.

Duke marrë shkas nga ky diskutim, që një pjesë janë politikanë, largimi i Kalos, ndërhyn politika te puna juaj?
Ne në mbledhjet e Komitetit dy herë ka qenë prezenca e kryeministrit online, edhe ministren e kemi parë shumë pak, sepse komiteti mblidhet me zëvendësministren. Nëse ne japim 30 këshillime dhe merren për bazë 20, është puna e tyre. Askush s’ka detyruar, as mua dhe as Prof. Kalon, asnjë detyrim, asnjë imponim. Komiteti është një organ këshillues, që s’ka asnjë përfitim, përvec telasheve. Ne shkojmë aty në cdo orë, grumbullohemi, është falas. Vec përgjegjësive, s’ka asgjë tjetër. Për fatin e keq, kemi arritur në periudhën e zgjedhjeve, që ka presione. E keqja është se ka profesionistë mjekë, që janë rreshtuar në politikë, por të mos bëjnë skanerin e mushkërive dhe t’ia japin partisë ta shohë. Më vjen keq për prof. Kalon. Më vjen keq që nuk do vazhdojë të jetë, se është ndër më të mirët, është i kompletuar, por besoj se Shqipëria s’më ka vetëm mua apo Prof. Kalon, ka dhe të tjerë.

Do të zëvendësohet…
Nuk e di.

Fushata elektorale, Najada Çomo largohet, lë profesionin, për t’iu bashkuar politikës… kjo nuk lë një perceptim se politika ndërhyn te ju?
Unë kam qenë në lidhje me Shqipërinë gjatë gjithë kohës dhe thosha e them gjithmonë që politikan i zoti është ai që gjen profesionist të zot dhe e shfrytëzon. Edhe tani nëse politika gjen profesionistë, t’i shfrytëzojë. Pse mjekët duhet të rrinë mënjanë. Edhe Profesoreshë Najada, vërtet është nga shtyllat e sistemit shëndetësor dhe s’ka për ta abandonuar sido që të shkojë situata. Besoj se edhe në ekipin e saj ka kolegë të zotë dhe nuk besoj se ka lënë gjë mangët për të vazhduar më tej. Kritikun e bëjmë të gjithë shumë mirë. Është e vërtetë që të shfrytëzojnë shumëkush, edhe unë kur kam ardhur kam pasur përplasje, por vetëm duke marrë pjesë ndryshojnë gjërat. Ndryshimi nis te politika, aty është koka.

Juve ju është bërë ndonjë ftesë?
Unë po bëj punën time. Jo, nuk më është bërë një ftesë e tillë. Nëse do më bëhej, do e vlerësoj për të marrë vendim. Cdo person gjendet në këtë luftë për të ndryshuar gjërat dhe duhet të këmbëngulë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb