TIRANE – Ministri i Financave Arben Ahmetaj shprehu keqardhje për largimin e biznesmenit amerikano-libanez Faad Mitri, dhe tërheqjes së investimit në Gjirin e Lalzit.

I ftuar në emisionin të “Të bësh Ekonomi” të gazetares Vjollca Kongjoni, ministri Ahmetaj tha se investimi i deklaruar i kompanisë “Omnix” ishte 180 milionë euro, ndërkohë që kompania në deklaratën e saj para largimit foli për 450 milionë dollarë.

Sipas ministrit Ahmetaj, dhunimi i biznesmenit është një incident i kufizuar, ndërsa kujtoi se në Shqipëri nuk është vrarë asnjë investitor i huaj.

“Shoqata e investitorëve të huaj e trajton si një incident të kufizuar. Me gjithë vështirësitë që ka kaluar ky vend ne nuk kemi asnjë investitor të huaj të vrarë. Rasti është i trishtë, është incident i kufizuar dhe shteti i ka qëndruar nga mbrapa kësaj sipërmarrje që ta realizonte investimin. Investimi është 180 milionë euro i deklaruar.”- deklaroi ministri Ahmetaj.

LARGIMI I OMNIX
Dhjetë ditë pas dhunimit të biznesmenit amerikano-libanez Faad Mitri, kompania e tij u tërhoq nga investimi gjigand në Gjirin e Lalzit. Kompania Omnix Albania bëri të ditur se tërhiqet nga ndërtimi i kompleksit turistik në Gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri. Ajo shprehet se akti i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.
Biznesmeni libanez 55-vjeçar, u përplas fillimisht me makinë, ndërsa udhëtonte me familjen dhe më pas u dhunua barbarisht nga 3 persona. Një prej autorëve të dyshuar është vënë në pranga. Sipas policisë, krimi pati si motiv konfliktin e pronësisë pikërisht për tokën tek Gjiri i Lalëzit.
DEKLARATA E KOMPANISË OMNIX ALBANIA
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër Z. Fadi Mitri dhe familjes së tij na ka hidhëruar dhe trishtuar pa masë.
Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalëzit.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 370 dhoma suita, me të gjithë elementët e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, aquapark, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.
Ky projekt gjigand synonte që të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destionacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan.
Me këtë investim Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Si konkluzion Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për cdo shqiptar.
Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga cdo investim në Republikën e Shqipërisë.
Falenderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta.
I jemi mirënjohës të gjithë atyre miqve, shumica shqiptarë, të cilët kanë qëndruar pranë dhe kanë mbështetur familjen e zotit Fadi Mitri në këto ditë.
Jamal Abu Issa, drejtues i OMNIX Group
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: