TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bëri të ditur se do të kërkojë shkarkimin e gjyqtares Joana Qeleshi, pas mbledhjes së fakteve dhe të dhënave ligjore lidhur me vendimin e saj për ti njohur familjes Selçuni një sipërfaqe toke në Gjirin e Lalzit.

Bëhet fjalë për 42 mijë metër/katror tokë, ku po ndërtohej resorti nga biznesmeni amerikano-libanez Faadi Mitri, i cili e ndërpreu investimin dhe u largua nga Shqipëria, pasi u dhunua barbarisht në rrugën e Rinasit. Sipas ministrit Manjani, hetimi administrativ ka zbuluar se Gjykata e Durrësit ka gabuar rëndë.

Ministri Manjani i komunikoi shkarkimin live nga konferenca për shtyp, drejtuesit të Avokaturës Durrës dhe juristit që ka qenë në gjyq kur është dhënë vendimi për pronën në fjalë.

“Gabimi themelor i gjykatës ishte që nuk thirri as Hipotekën e Durrësit as Drejtorinë e shërbimit pyjor, që kishte dhënë me qira tokën që pretendohej. Si është e mundur që një çështje e tillë për 42 metër/katrorë tokë të gjykohet vetëm nga një gjykatëse. Duhej një trupë gjykuese me 3 gjyqtarë. Nuk ka provë që kësaj familjeje i takonte prona. Do kërkoj procedim disiplinor me kërkesë të pakthyeshme për shkarkimin e gjyqtares. Do ta mbroj fort si një rast që nuk duhet të ndodhë më. Nëse biznesi në këtë vend trembet për shkak të këtyre vendimeve absurde, nuk mund ta lejomë më. Drejtuesi i Avokaturës Durrës është shkarkuar që nga ky moment, së bashku me juristin që ka qenë në gjyq, asnjë lloj tolerance. I kërkoj kryetarit të Bashkisë Durrës të shkarkojë dhe ai juristët të cilët e kanë lënë këtë absurd të hyjë në fuqi.”- deklaroi ministri Manjani.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb