Në studion e emisionit “FrontLine”, drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço, u komentua largimi i kryeparlamentarit aktual, Gramoz Ruçit, nga politika aktive.

Të ftuar në studio, për të folur mbi këtë çështje, por jo vetëm, ishin Belind Këlliçi, deputet i zgjedhur i PD dhe Plarent Ndreca, funksionar i lartë në PS.

Këlliçi tha se largimi i Ruçit nga politika është i vonuar, pasi sipas tij, duhet të jepte dorëheqjen pas 2 prillit të vitit 1991, ku u vranë 4 protestuesit në Shkodër.

Ndreca nga krahu tjetër, tha se nuk ka asnjë vendim gjykate kundër kryeparlamentarit, e për këtë arsye, këto perceptime aktualisht mbeten politike.

Belind Këlliçi: Ndreca tha më parë për Ruçin që për ngjarjen e 2 prillit të 91-it nuk gjendet asnjë vendim gjykate. Këtë ma nisi një nga familjarët e viktimave të 91-it. ‘Goditni ashpër që në fillim të grumbullimeve, nxini pozicionet nga qitësit, forcat tona të armatosura të qëndrojnë në gatishmëri’. Është keqardhje që Partia Socialiste ka shkuar në këtë pikë sot, me zotin Ruçi. Sot që ne flasim janë 4.500 viktima të periudhës së komunizmit që nuk kanë varr. E kam detyrim ta them këtë, sepse është e vërtetë e madhe dhe nuk kemi ende një falje publike.

Plarent Ndreca: Ai ka qenë ministër i brendshëm. Ajo që sapo lexuat e kisha harruar përmbajtjen. Ajo është një urdhër që ministri i Brendshëm e bën për forcat në terren. Ai nuk thotë gjuaj, thotë mbani armët. E dinë ata që e udhëheqin PD, për të tërhequr këmbëzën. Asnjë vendim të gjykatës nuk e ka dënuar Ruçin.

Belind Këlliçi:
Të kesh eksperiencë për të mbrojtur të pambrojtshmen, jam krenar që nuk kam eksperiencën tënde.

Plarent Ndreca: Nuk ka asnjë vendim gjykate që e dënon zotin Ruçi. Ka një proces gjyqësor që ka shpallur fajtor një punonjës shteti për 21 janarin. Kërkon standard për zotin Ruçi dhe këtu nuk përmend ish-ministrin që fshihet pas 21 janarit.Nëse flet për një vrasje dhe nuk përmend asnjë vendim gjykate, atëherë, nuk njeh shtetin ligjor.

Belind Këlliçi:
Unë njoh shtetin e të drejtës. Atë të 21 janarit, e keni marrë dhe e keni bërë kryetar bashkie.
Edhe drejtësia për 8 vite, asgjë s’është bërë për 21 janarin.

Plarent Ndreca:
Për 21 janar është bërë…

Belind Këlliçi: Kanë marrë qitësin dhe e kanë bërë kryetar bashkie. I gjithë boshti i tyre është propagandë.

Plarent Ndreca:
Edhe zoti Këllici e përfaqëson prapë sot, raportin me të vërtetën. Personi në fjalë nuk ka asnjë vendim gjyqësor, se ka qitur apo ka vrarë. Personi që Këlliçi përmend, nuk ka lidhje fare. Ish-ministri i Brendshëm në atë kohë nuk mbajti përgjegjësi për 21 janarin. Gramoz Ruçi ka ikur nga ministër i Brendshëm. Nuk ka asnjë vendim gjykate që zoti Ruçi ka lidhje me 2 prillin. Ka vendim gjykate për 21 janarin. Kërkohet standard për Gramoz Ruçin, ndërsa kanë kryetarin e tyre dhe ai ende nuk ka dhënë dorëheqjen. Ministri ynë i brendshëm, u va një qytetar nga policia dha dorëheqjen.

Belind Këlliçi: Mos e përmend Sandër Lleshajn, sepse solli kulturën e gazit lotsjellës. Unë kam qenë vetë dëshmitar, kam qenë duke qëndruar, jam marrë dhunshëm, kam bërë kallëzime në Prokurori, kam dërguar videot, kam dërguar librin e protokollit të personave që më kanë arrestuar. Trupat kanë ardhur pa numër, pa simbole identifikuese. Ministri i Brendshëm ka dalë pas disa orësh në deklaratë duke thënë që jam krenar me politikanët sepse janë fytyra ime. Sandër Lleshaj turpi i Ministrisë së Brendshme.

Plarent Ndreca: Unë po flas për sjellje politike… Policia e Shtetit në protesta të kësaj natyre nuk identifikohet sepse ka kapelën identifikuese. Nuk mbajnë kurrë Policia e Shtetit emër mbiemër. Në të gjithë botën e njëjta gjë ndodh. Pra, ndërkohë ata që mbajnë rendin në protesta nuk vendosin numra, sepse përfaqësohet me uniformë. Në raste kur ka protesta nuk mbahet identifikimi personal. U vra një qytetarë nga një polic dha dorëheqjen një ministër i Brendshëm.

Belind Këlliçi:
Ata hodhën një pistoletë aty dhe thanë që ai ka kërcënuar policin.

Plarent Ndreca: Prandaj jeni në opozitë sepse nuk bindeni.

Belind Këlliçi:
Ajo ngjarja e Klodian Rashës u manipulua, kur nuk e manipuluan dot, dha dorëheqjen Sandër Lleshaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: