Partia e Lirisë ka denoncuar fenomenin e largimit të shqiptarëve nga vendi, ndërsa lëshon akuza ndaj qeverisë ‘Rama’.

Në një dalje për mediat anëtarja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli deklaroi se ky fenomen është akoma më shqetësues në qytetet e vogla dhe në rrethe, ku të rinjtë në kërkim të një jetese më të mirë, të shtyrë nga kjo qeveri e papërgjegjshme, detyrohen të lënë familjen dhe atdheun e tyre.

Deklarata e plotë:

Jemi në këtë konferencë për të denoncuar fenomenin e largimit të të rinjve për shkak të politikave të keqqeverisjes së Rilindjes.

Prej kohësh largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria është bërë një çështje shqetësuese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ky fenomen është akoma më shqetësues në qytetet e vogla dhe në rrethe, ku të rinjtë në kërkim të një jetese më të mirë, të shtyrë nga kjo qeveri e papërgjegjshme, detyrohen të lënë familjen dhe atdheun e tyre.
Këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as qyteti i Korçës, ku qindra të rinj largohen çdo ditë. Shkollat dhe gjimnazet gjithnjë e më shumë po i frekuentojnë më pak nxënës, disa degë të universitetit janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen, fshatrat dhe qyteti janë zbrazur nga të rinjtë, dhe e gjitha kjo vetëm si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë dhe dashakeqësisë të Rilindjes.

Ky shqetësimi i joni dhe i të gjithë shoqërisë konfirmohet dhe nga Zyra Europiane e Azilantëve. Në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga kjo zyrë rezulton se rreth 32 mijë shtetas shqiptarë ku shumica dërrmuese të rinj kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian.

60% e shtetasve shqiptarë sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Si anëtare e kryesisë e Partisë së Lirisë dhe përfaqësuese e qarkut të Korçës i bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarëve që në 14 maj t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë së rilindjes duke votuar për opozitën e bashkuar dhe kandidatët e saj.

Në 14 maj, do të rikthehet pluralizmi në pushtetin vendor në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Këshillat Bashkiakë do të jenë një parlament vendor me të rinj, të reja dhe profesionistë të të gjitha fushave që do të përfaqësojë qytetarët dhe problematikat e tyre.

14 maji do të sjellë ndryshimin me çdo çmim për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: