Shenja të një divorci mes Cristiano Ronaldos dhe Manchester United. Pas shpërthimit të javës së kaluar, kur portugezi u ankua për rezultatet e ekipit, përfaqësuesit e tij u takuan me drejtuesit e lartë të klubit për të diskutuar për përfundimin e mundshëm të kontratës në fund të sezonit.

Nëse Djajtë e Kuq nuk kualifikohen në Champions League në sezonin e ardhshëm, largimi duket i pashmangshëm. I pakënaqur në fushë, i pasigurt për drejtimin që ka marrë klubi i United, Ronaldo kërkoi një takim mes përfaqësuesve të tij dhe Richard Arnold, i cili do të mbajë rolin e menaxherit të përgjithshëm të United nga 1 shkurti.

Tema kryesore e takimit është e ardhmja e Ronaldos, kontrata e të cilit me Manchester United skadon në verën e vitit 2023. Sulmuesi portugez ka deklaruar shpesh se kërkon të jetë në nivele të larta 40 vjeç, por pak mundësi ka që ai të vijojë te Manchester United, pavarësisht se ai në nivelin personal është mirë me 14 gola dhe 3 asiste në 22 ndeshje me Djajtë e Kuq.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb