Diskutime të ashpra janë zhvilluar edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Dështimi i miratimit të marrëveshjes ndërkombëtare për skemat sociale ka nxitur përplasje ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ky i fundit duke arsyetuar kundërshtimin e mëhershëm, tha se për shkak të reagimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, nuk do të marrin pjesë në votim të marrëveshjes tjetër ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa kreative 2021-2027”.

“Deri tani ne si Grup Parlamentar gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i votuam, njëra që menduam se është e papranueshme votuam kundër. Në këtë marrëveshjen e fundit nuk do të marrim pjesë në votim, për shkak të sjelljes së ministrit Murati, këqyrja statusin e fundit që e ka shkruar në ‘Facebook’. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

Atij i reagoi deputeti i LVV-së, Dimal Basha, i cili tha se votimi i LDK-së kundër marrëveshjes ndërkombëtare për skemat pensionale është i turpshëm.

“Ka rëndësi që marrëveshjen e votuan kundër. Është hera e parë në histori të këtij Kuvendi që një grup parlamentar voton kundër që është për shtresën më të varfër të këtij vendi. Tash janë marrëveshjen me ShBA-në e ki mundësinë, voto kundër. S’mundeni ju me votu kundër disa marrëveshjeve. Keni qëndrime që janë turp dhe dilni tash bëni filma”, tha ai.

Pasi përfundoi fjalimin e tij në foltoren Kuvendit, deputeti Basha u afrua tek vendi shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi për t’ia pamundësuar replikën.

Por Gashi reagoi duke i thënë “largohu baju prej këtu”.

“S’ki nevojë me fol t’i këtu, baju prej këtu. Baju, largomu prej këtu”, deklaroi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi që relacionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës të jenë të shëndosha dhe mira.

“Pa një bashkëpunim të ngushtë mes mazhorancës dhe opozitës nuk mundesh me shty përpara gjithçka dhe ato që janë vitale dhe shumë të rëndësishme për vendin tonë, e që janë marrëveshjet ndërkombëtare. Gjitha relacionet që i keni me njëri tjetrin duhet t’i mbani të shëndosha dhe të mira”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb