Kryeministri Edi Rama iu bën sërish thirrje qytetarëve të mos i shkruajnë në “Facebook” për problemet që mund të kenë në situatën e krijuar nga koronavirusi, por të drejtohen te kanali i urgjencës te portal shqipëriaqëduam.al.

Në një lidhje live nga zyra e tij, kreu i qeverisë iu kërkoi të gjithë qytetarëve të mos shkruajnë thjesht për ta provuar apo për t’u talluar, pasi vendi është në luftë.

“Mos shkruani më në Facebook, sepse nuk merrni përgjigje dot. Është shumë qesharake, që të drejtoheni te portali i urgjencës dhe pastaj kur iu marrim të thoni që ‘unë doja ta provoja’. Këto nuk janë shaka për këtë kohë. Shqipëriaqëduam.al është e vetmja rrugë për problemet. Është një ngarkesë e një natyre të jashtëzakonshme. Jemi në luftë, është një luftë reale, botërore, ja future gjithë shtetet e botës në shtëpi. Asnjë shtet nuk po bën çudi. Ne nuk e zbrazim dot arkën e shtetit për një muaj”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli dhe për riatdhesimin e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë shtetit, ku tha se Lasgushi do të mbledhë vetëm ata njerëz që janë listat e përgatitura nga ambasadat.

“Sot do të riatdhesojmë 1379 shqiptarë. Që të jemi të qartë, nuk do të riatdhesojmë ata që jetojnë jashtë. Lasgushi do të mbledhë ata njerëz që janë në listat e përgatitura nga ambasadat, asnjë më shumë. Dua t’iu them shumëkujt që janë këtu dhe që kanë vënë kujën pse po i marrim këta. Kjo është të flasësh në hava. Mos flisni si për shtëpinë e botës. Si ka mundësi me këto cinizma e dëngla. Ne jemi në luftë”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb