Dhjetëra mijëra satelitë që po përgatiten të futen në orbitën e Tokës në vitet e ardhshme si ”Starlink” i Elon Musk ose ”Kuiper” i Amazonit, mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e teleskopëve dhe radioteleskopëve duke penguar kërkimet e astronomëve.

Unioni Ndërkombëtar Astronomik (LAU) apelon tek vendimmarrësit politikë, agjencitë dhe kompanitë për të vlerësuar çështjen dhe për të punuar për një kuadër rregullator për të ndihmuar zbutjen e efekteve të tij.

Sipas LAU, satelitët në orbitë janë më pak se 200, por numri i tyre po rritet me shpejtësi, me plane për t’u bërë dhjetëra mijëra.

Kjo mund të përfaqësojë një rrezik të dyfishtë për astronomët.

Para së gjithash, sipërfaqja reflektuese e satelitëve mund t’i bënte të dukeshin si pika ndriçuese që lëviznin në qiell në agim dhe në perëndim të diellit duke ndërhyrë në vëzhgimet e instrumenteve të sofistikuara siç është i ashtuquajturi Teleskopi i Madh Ekstrem si dhe teleskopi më i madh tokësor optik, aktualisht në ndërtim.

Së dyti, megjithëse satelitët janë projektuar për të ndërhyrë sa më pak të jetë e mundur me frekuencat e përdorura nga radioastronomia, ekziston ende rreziku që grupi i sinjaleve të prodhuara nga një konstelacion mund të përbëjë një problem duke penguar kërkime të tilla si ato që në muajin prill çuan në botimin e imazhit të parë të një vrime të zezë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb