‘Atdheu’ është ndër poezitë e para te Drago Siliqit, poetit, kritikut e drejtorit të shtëpisë botuese ‘Naim Frashëri’. Sa kishte mbushur 33 vjeç, në vërsën e Krishtit, avioni me të cilin udhëtonte nga Kina u përplas diku në malet e Siberisë korrikun e 1963-it. Në 90-vjetorin e lindjes se tij, e bija, rrëfen prinderit.

“Unë nuk e kam njohur babain sepse kam qenë vetëm dy vjeçe kur ai ndërroi jetë në një aksident ajror. Atë e kam njohur vetëm përmes rrëfimeve të mamasë, e cila jetoi për të dhe promovoi veprën e tij. Nëna dhe babai u njohën në shkollë në Tiranë, më pas babai shkoi pesë vite në Moskë dhe mamaja e pritën. Flisnin gjithnjë bashkë, sepse përveçse duheshin ata ishin dy miq shumë të mirë të njëri-tjetrit. Unë kam një dosje të madhe me letrat e tyre”, thotë  Laura Konda, e bija e Drago Siliqit.

Si drejtor i të vetmes shtëpi botuese të kohës, ai pati meriten e zbulimit te talenteve, nuhatjes dhe nxitjes së shkrimtarëve.

Për Alda Bardhyli, studiuese e drejtore e Qendrës Kombëtare te Librit “Drago Siliqi ka një rol të madh në letërsinë e kohës. Ishte ai që e nxiti Kadarenë që të shkruante  ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’. Siç rrëfen vetë Kadareja,  Siliqi i ka thënë  gjatë një shëtitje në bulevard se kish lexuar në një revistë letrare tregimin e tij për Gjeneralin dhe se ishte mëkat që atë histori ta linte veçse në një tregim, pasi historia ishte shumë e bukur. Dhe Kadare shkroi romanin”.

Për aq sa qe gjallë, Drago Siliqi, kërkoi jo vetëm të renë në letërsi por edhe afroi personalitetet e anatemuar nga sistemi komunist, nga Lasgushi, te Kuteli, Kokona, Shvarc për të sjellë në shqip emrat e mëdhenj te letërsisë botërore duke nisur me Drajzerin apo Heminguejin.

“Në një kohë të vështirë kur lufta e klasave veçse thelloj, mendoj se babai bëri një akt të guximshëm, duke punësuar pranë shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri’ ata që ishin dënuar nga diktatura komuniste”, thotë  Laura Konda për të atin. Ndërsa Alda Bardhyli shton se “Kadare  ka thënë se me Siliqin i zgjidhi punët Zoti, sepse me natyrën e tij liberale me siguri ai do ta pësonte gjatë regjimit komunist”, duke aluduar për dënimin etij.

90 vite nga lindje e pothuaj 6 dekada nga vdekja, Drago Siliqi kujtohet ende nga brezi i shkrimtareve e përkthyesve si njeriu që u hapi udhët dhe  i mbrojti nga të paudhët.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb